Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, ka filluar të mendojë për “Final Four”. Pas fitores ndaj Egnatias, ai pranoi për herë të parë se skuadra e tij, sapo të siguronte katërshen, do të mendonte si të siguronte trofeun që mundon prej shumë vitesh në Shkodër.
“Një dhuratë e madhe për të gjithë ne, veçanërisht për 105-vjetorin. Sa i përket lojës, mendoj se ishte një Vllazni luftarake, taktikisht e disiplinuar dhe mendoj se kjo na fitoi lojën.
Ndoshta është herët të flasim për kampion, se ende mendoj se nuk është asgjë e siguruar, veçanërisht këto katër vendet e para. Të gjithëve, një fitore kundër Egnatias, një prej ekipeve më të mira në kampionat, na duket shumë e vlefshme për ecurinë e kampionatit për Vllazninë
“Final Four”? Ende nuk është e sigurt, afër ndoshta. Por nëse objektivi është të hyjmë mes katër vendeve të para, sigurisht që do të sulmojmë edhe titullin kampion.
Gjithçka është e mundur se janë dy ndeshje. Por në “Final Four” janë ekipet më cilësore. Por e përsëris, është futboll, një realitet në fushë ku nganjëherë nuk ke edhe ditën, është punë inspirimi, punë dite e gjithçka është e mundshme në “Final Four”.
Ndryshimi? Jemi më luftarakë, jemi më agresivë, të kujdesshëm kur duhet të ruajmë rezultatin, jemi vrapues. Kemi shfrytëzuar lojtarët që kanë elementët më të fortë, duke filluar nga krahu. Shkurtimisht, e dimë çka duam.
Ndoshta ecuria që ka pasur Vllaznia kohën e fundit, meritat më të mëdha janë të futbollistëve. Ne si staf teknik jemi munduar që lojtarët t’i vendosim në pozicionet më të mira, ku ata japin më të mirën”, tha Osmani për “MCN” pas ndeshjes.