Vllaznia thuajse “ka larë duart” me titullin kampion në Superligë. Kuqeblutë kanë humbur përballjen direkt me Laçin në një ndeshje ku realisht rastet për Vllazninë nuk kanë munguar por gëzojnë në fund laçjanët.
Në 45 minutat e para ka qenë një pjesë e parë e luajtur dhe me ritëm të lartë, ku nuk kanë munguar as rastet. Vendasit kanë goditur traversën e Vllaznisë ndërsa shkodranëve iu anulua nga VAR një gol.
Farudin Gjurgjeviç gjen rrugën e rrjetës në minutën e 26- të, por goli nuk vlen! Sulmuesi nga Shkupi, përfiton nga gabimi i Malotës, shmang portierin Dajsinani dhe e dërgon topin në rrjetë, por pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari Hamiti, sinjalizon prekje të topit me dorë nga Da Silva gjatë aksionit të golit.
Vlen të theksohet se Vllaznia ka qenë më superiore, por i vetmi gol i shënuar u anulua nga arbitri Hamiti. Në pjesën e dytë, loja nis më e ekulibruar por përsëri Vllaznia ka raste për gol. Ndoshta në momentin më të mirë të Vllaznisë, vjen goli i vetëm i ndeshjes dhe e shënojnë vendasit me penallti.
Një top pa shumë pretendime për Mzrekaj, i cili është edhe me shpinë nga porta e Vllaznisë, Da Silva përplaset me laçjanin duke e rrëzuar. Fare pranë aksionit, Hamiti bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë.
Goditja i besohet Gundo dhe shënon golin e vetëm dhe të fitores për Laçin në minutën e 65- të. Trajneri Brdariç provon edhe ndërrimet, duke futur Aralica, Kruja dhe Çobën për të forcuar manovrën sulmuese. Rastet nuk mungojnë, Aralica madje trondit traversën por gol nuk ka për Vllazninë.
Një ndeshje ku nuk kanë munguar ndërshkimet për të dy ekipet, sidomos pas gjysmës së parë të 45 minutave, ka patur një lumë kartonash të verdhë për të dy ekipet, teksa Vllaznia konteston edhe disa faulla të padhëna në favor të saj.
Me këtë rezultat Vllaznia sheh ti venitet ëndrra për kampion teksa duket se rruga më e afërt dhe e mundshme për trofe, për të garantuar edhe Kupat e Europës, mbetat Kupa e Shqipërisë. Tirana është shkëputur 13 pikë, Laçi e Kukësi janë ndjekësit më të afërt, teksa 5 pikë më poshtë është Partizani. Në mesjavë luan me Flamurtarin për të siguruar gjysmëfinalen, pas fitores në Vlorë në ndeshjen e parë.