Vllaznia ia ka dalë në “frymën e fundit”. Kuqeblutë kanë mundur në Ballsh Bylisin vendas, duke e hedhur nga Superliga në Kategorinë e Parë dhe njëkohësisht, duke marrë vendin e katërt që e bën pjesë të Europës së futbollit.
Duhet thënë se kuqeblutë kanë fituar me përmbysje, teksa vendasit kaluan në avantazh të parët në minutën e 36- të me autor Lajthia. Por nuk është dashur shumë që Vllaznia të gjejë golin.
Barazimi ka ardhur në harkun e 60 sekondave, teksa Jonuzi ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm për objektivat e shkodranëve. Me këtë rezultat, u mbyllën edhe 45 minutat e para të ndeshjes.
Pjesa e dytë paraqiti një Vllazni mjaft kërkuese, e cila disa herë me Latifin dhe Balën, kanë rrezikuar të shënojnë golin e avantazhit. Latifi ka nxjerrë nga repertori i tij një numër, me të cilin jo vetëm shënoi golin më të rëndësishëm të sezonit por edhe një gol të bukur personal.
Katër minutat e shtesës nga Jorgji nuk sollën ndryshim. Vllaznia hodhi një kategori më poshtë Bylisin ndërsa për vete, siguroi një biletë në Kupat e Europës, për herë të tretë radhazi në po kaq vite të fundit.