Vllaznia ka mundur thellë Skenderbeun në “Loro Boriçi”, në atë që mund të quhet akti i fundit zyrtar për Supërligën në Shkodër. Duket se djemtë e Brdariç e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin që kishin përballë dhe kjo u pa gjatë gjithë ndeshjes. Goli i parë për vendasit ka ardhur shumë shpejt, ndërsa mund të quhet e sotmja si “dita e Ardit Hoxhaj”.
Një gabim i mbrojtjes së Skenderbeut, i ka dhënë mundësi Vllaznisë të shënojë golin e parë 37 sekonda nga fishkëllima e arbitrit. Ka qenë Imeri, ai që ka përfituar dhe ka përshendetur rrjetën e miqve.
Ndeshja ka qenë e gjitha nën kontroll e dominim të Vllaznisë. Nuk kanë munguar rastet për shënim, ndërsa sot duket se është dita e Ardit Hoxhës, i cili në 45 minutat e para shënoi dy gola.
Goli i parë i Hoxhajt ka ardhur në minutën e 35- të, kur pas goditjes së tij, portieri nuk mundi ta ndalë topin që kishte kaluar vijën fatale të portës. Vetëm 7 minuta më vonë, pas një topi nga krahu i majtë i sulmit të Vllaznisë, Hoxhaj godet brenda zonës me kokë dhe portieri i Skenderbeut nuk mundi të bëjë asgjë.
Pjesa e dytë ka dhuruar të tjerë gola dhe përsëri në skenë është Ardit Hoxha, duke thënë pa frikë se ka qenë dita e tij sot përballë ish- skuadrës së tij. Në minutën e 53- të vjen goli i tij i katërt, ndërsa pak më pas, Vllaznia bën tre ndryshime duke menduar për ndeshjen e fundit të këtij viti me Tiranën.
Pikërisht nga Arlind Kalaja i sapo futur nis edhe aksioni i golit të katërt për Hoxhën. Mesfushoi shkodran godet fort drejt portës, një nga mbrojtësit korçarë e largon keq topin duke i dhënë një asist Hoxhës, i cili shënon sërish.
Në minutën e 62- të korçarët arrijnë të shënojnë në portën e Vllaznisë. Pas ekzekutimit të një goditje dënimi nga krahu i majtë i sulmit të Skenderbeut, ka një devijim në zonë dhe topi përplaset në gjoksin e Mensah, duke mposhtur Zogoviç të Vllaznisë.
Me këtë rezultat është mbyllur krejt ndeshja, me Vllazninë që jep një tjetër rikonfirmim të gjendje shumë të mirë që po kalon. Sfida e fundit për këtë vit është me Tiranën me 30 dhjetor por që sot, kuqeblutë kanë siguruar “titullin” e parë jo zyrtar si “kampion i dimrit”.