Vllaznia ka bërë një paraqitje katastrofike në ndeshjen e dytë me Valur në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë, ndryshe nga ndeshja e parë në Islandë, u shpërfytyruan nga miqtë në një ndeshje për tu harruar e gjitha.
Shkodranët kanë pësuar tre gola në pjesën e parë, me një mbrojtje që nuk ekzistonte në fushën e lojës, me gabime elementare dhe e lodhur fizikisht, e papërqendruar edhe në aspektin mendor.
Nisur nga paraqitja në ndeshjen e parë, ku Vllaznia barazoi 2-2, mund të thuhet se ka patur një nënvleftësim total në këtë ndeshje dhe tre mungesat nuk mund të jenë justifikim me atë që u pa në fushën e blertë.
Asnjë nga repartet e kuqebluve nuk kanë funksionuar ndërsa është emergjente të ndërhyhet nga drejtuesit për Supërligën, nëse duan të jenë konkurrentë pët trofetë e sezonit.
Vllaznia largohet e turpëruar nga Conference League, përveç të tjerave edhe me një dëm ekonomik të konsiderueshëm, duke u kënaqur vetëm me 300 mijë eurot e UEFA-s për pjesëmarrjen në këtë turne europian, teksa me humbjen e sotme, humbën edhe 350 mijë euro që mund të përfitonin në rast kualifikimi.