Ekipi ukrainas i Vorskla Kharkiv dhe Vllaznia janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të 1/32 të finaleve të UEFA Women Champions League. Një ndeshje, e cila është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, por në fakt konsiderohej si transfertë për ekipin shkodran edhe pse luajti në fushën e tij, pasi kështu është verdikti i shortit të hedhur.
Pas ndeshjes me ukrainasit, para mediave ka dalë trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka, i cili u shpreh se ishte një ndeshje shumë e luftuar nga të dy ekipet, ndërsa theksoi se vajzat shkodrane iu përgjigjen mirë lojës.
“Ishte një ndeshje shumë e luftuar. Ne e kishim parashikuar që do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse në këtë tur nuk ka kundërshtarë të lehtë. U bë një ndeshje shumë e luftuar, me shumë raste, si ne, si ekipi ukrainas. Unë them që vajzat iu përgjigjen mirë lojës, sidomos në pjesën e dytë.
Në pjesën e parë çaluam diçka, por u munduam ta rikuperojmë. Në pjesën e dytë, vajzat bënë atë që i kërkuam ne të bënin në fushën e lojës. Unë them që penalltia ishte aksidentale, por gjithsesi përderisa e dha arbitrja nuk mund të flasim tashmë.
Megjithatë, ne e kishim parashikuar që nuk përfundon gjithçka në ndeshjen e parë. Janë dy ndeshje dhe ne do të punojmë prapë këtë javë që të rikuperojmë ata gabime që mund të jenë bërë, që javën tjetër të realizojmë atë objektivin tonë.
Edhe ndeshja e dytë do të jetë një ndeshje e luftuar, por siç e thashë më përpara, ne do të rikuperojmë ata gabimet e kësaj ndeshjeje. Shanset e Vllaznisë janë 50-50. Nuk mund të them që kemi shanse më tepër se ekipi ukrainas, sepse dihet ajo punë që ukrainasit janë shumë të vështirë”, mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka.
Pas ndeshjes kanë folur për mediat edhe autorja e golit Megi Doçi dhe presidenti i KFF Vllaznia Lazer Matia. /Nga Maringlen ZHIVANI/