Vllaznia vazhdon humbjet në Superligë. Në “Loro Boriçi” e ka mundur Kastrioti që lufton për mbijetesë, me përmbysje 1- 2 dhe me gola të një ish- futbollisti kuqeblu Edon Hasani, i cili realizon një mrekulli balistike me golin e dytë.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, pas një loje deri diku të barazpeshuar. Në minutën e parë të së dytës, Vllaznia gjen golin e saj të vetëm në ndeshje. Aralica merr një top të bukur nga Hoxhaj dhe me portën e boshatisur dërgon topin në rrjetë.
Mendohej se Vllaznia do të merrte tre pikë, teksa dukej se kishte lojën nën kontroll. Megjithatë, Kastrioti, një ekip cinik ishte në pritje. Kështu, vjen goli i parë i Edon Hasanit. Selmani prek një top të bukur, por topi shkon në traversë. Gjithsesi Hasani ishte aty për ta dërguar topin në rrjetë me portën e boshatisur.
Kalojnë vetëm 7 minuta dhe “Loro Boriçi” ngrin. Edon Hasani shënon golin e dytë për skuadrën e tij dhe të dytin personal me një perlë nga jashtë zone duke e lënë Zogoviç të pashpresë.
Minutat e mbetura nuk ndryshojnë asgjë dhe Vllaznia koleksionon humbjen e 6- të, të tretën radhazi në Superligë duke u shkëputur nga zona e Europës. Ndërkohë, me fitoren e sotme ndaj Laçit, Partizani është afruar vetëm 2 pikë larg.
Për të kapur “trenin” e Europës duket se shpresa e fundit është Kupa e Shqipërisë, ku pas barazimit pa gola në Tiranë, Vllaznia pret në Shkodër Partizanin me shpresën që të marrë fitoren për të kaluar në finale.