Super ndeshje dhe gjashtë gola në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Teutës. Vendasit fituan 4-2 përballë kampionëve në fuqi, duke marrë tre pikë të merituara. Ekipi shkodran rikthehet të triumfojë ndaj bregdetarëve në kampionat pas më shumë se një viti, dhe tani numëron 33 pikë.
Përballja nisi e zjarrtë, Liridon Latifi gjeti golin pas 51 sekondave, ndërsa në minutën e shtatë shënoi golin e dytë sezonal në Superiore mbrojtësi Fallou Diagne. Moment super për vendasit, që shënuan përsëri me anë të Latifit, i cili ngjitet në kuotën e 8 golave në kampionat.
Rubin Hebaj shkurtoi rezultatin në minutën e 18-të. Da Silva pati dy mundësi të mira pas gjysmë ore lojë, por Pano Qirko priti goditjet me kokë të lojtarit brazilian. Teuta mori zemër dhe realizoi golin e dytë me anë të Lorenco Vilës (41’), i cili mori një asist nga Beqja.
Pjesa e dytë foli vetëm për Vllazninë. Latifi u ndal nga shtylla në minutën e 46-të. Mevlan Adili tentoi një gol të bukur me një gjuajtje fluturimthi, por atë e realizoi Fjoart Jonuzi.
Eurogoli i mesfushorit kroat në minutën e 72-të, solli shpërthimin e tifozëve në stadium dhe çlirimin e trajnerit Thomas Brdaric. Ndeshje për t’u harruar për Teutën – mbrojtja e dytë më e dobët e kampionatit – që e mbylli takimin me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të Harallamb Qaqit në minutat shtesë.