Mbrëmjen e kaluar (të shtunës) është mësuar për rrëshqitje të një masi shkëmbor duke bllokuar rrugën në drejtim të zonës së Dukagjinit. Sipas një publikimi në rrjetet sociale, bllokimi kishte ndodhur në një pjesë të rrugës në Njësinë Administrative Shosh.
Sapo është marrë informacioni, janë vënë në lëvizje strukturat e Bashkisë Shkodër. Në orët e para të ditës së sotme, mjetet e rënda kanë mbërritur në aksin e bllokuar dhe brenda pak orësh, është bërë e mundur që rruga të lirohet edhe të vijojë qarkullimi i mjeteve.
Lajmin e ka konfirmuar për mediat ditën e sotme Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër. Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Ademi ka folur edhe për masat për mbajtjen të çelur të rrugës që kalon nga Qafë Thorja, e cila bllokohet nga reshjet e borës.
Po ashtu, kryebashkiakja Ademi ka dhënë opinionin e saj edhe për projektin që synon ndërtimin e një rruge të plotë drejt Dukagjinit. Ajo ka theksuar se po diskutohet që projekti i rrugës të mos lërë jashtë vëmendjes asnjë zonë, as edhe zonën e Pultit. /ShkodraWeb/