Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Të gjitha strukturat e Bashkisë të angazhuara kundër zjarrit të rënë para pak minutash në tregun e rrobave të përdorura në Qafë Hardhi.
Është kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile, teksa zjarrfikëset vijojnë punën e në ndihmë të tyre janë nisur mjete nga Malësia e Madhe e Ulqini. Policia e Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë reaguar menjëherë gjithashtu. Fatmirësisht dëmet janë veç materiale.
Shkodër/Informacion shtesë i Policisë
Me qëllim evakuimin e banorëve dhe krijimin e perimetrit të sigurisë, të gjitha shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, janë angazhuar maksimalisht dhe ndërkohë po ndihmojnë zjarrfikësit për të vënë nën kontroll flakët e zjarrit në tregun me rroba të përdorura.
Njëkohësisht në ndihmë të zjarrfikësve të Shkodrës po shkojnë dhe zjarrfikësit e Vaut të Dejës dhe Ulqinit. Shërbimet e Policisë kanë evakuuar të gjithë banorët dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë. Po vijon intensivisht puna për shuarjen e zjarrit.