Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes së disa pajisjeve, të kryer më datë 05.12.2023, në gjimnazin e fshatit Gruemirë, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të rastit.
Në vijim të veprimeve procedurale u kap dhe u vu në pranga shtetasi Ejllo Mitaj, 25 vjeç, banues në fshatin Grudë, Malësi e Madhe. Nga verifikimet rezultoi se 25-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, për të kryer vjedhjen e 8 pajisjeve kompjuterike në këtë gjimnaz, si dhe për të vjedhur më datë 23.01.2024, instalime elektrike dhe pajisje në banesën e shtetasit I. A., në fshatin Grudë.
Gjithashtu, u referuan materialet procedurale shtesë për shtetasin Pellumb Kalaj, 23 vjeç, banues në fshatin Gruemirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Ejllo Mitaj për të kryer vjedhjen në gjimnazin e këtij fshati. Aktualisht, shtetasi P. K. është në IEVP Lezhë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.