Një shpërthim ka ndodhur orët e para të mëngjesit në Shkodër. Mësohet se lënda djegëse i është vendosur një makine të parkuar pranë teatrit ‘Migjeni’ në Shkodër, në parkingun e një supermarketi.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:30 të mëngjesit të sotëm, 23 shkurt. Siç shihet edhe në këtë video, policia ka rrethuar menjëherë zonën, ndërsa lenda djegëse i është vendosur një makine tip ‘Audi’ të bardhë, në pronësi të shtetasit Bledar Freskina, i cili ka deklaruar se nuk ka patur konflikt me askënd dhe nuk di nga mund ti ketë ardhur. Paraprakisht mendohet se një person me motor ka hedhur lëndën djegëse mbi makinë. Fillimisht policia raportoi për lëndë shpërthyese, me pas e konsideroi lëndë djegëse (njoftimet më poshtë).
Ende nuk dihen shkaqet që mund të kenë çuar në këtë ngjarje, por grupi hetimor po punon për zbardhjen e saj.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 04:30, shtetas ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse në automjetin e parkuar në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në pronësi të shtetasit B. F., 40 vjeç. Nga ngjarja ka vetëm dëme të pjesshme materiale.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku po punojnë për të përcaktuar autorsinë e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat.
Shkodër/Informacion shtesë
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për një automjet që dyshohet se ishte djegur me lëndë plasëse, ju informojmë se:
Nga këqyrja e kamerave dhe veprimet e tjera hetimore në vendngjarje, rezultoi se në automjet nuk është hedhur lënde plasëse, por është hedhur lëndë djegëse.
Vijojnë hetimet për të identifikuar autorin/ët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.