Një i ri shqiptar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në Rimini. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në qytetin e Cattolica në provincën e Riminit, ku 5 të rinj ishin duke udhëtuar në një makinë ‘Fiat 500’.
Të rinjtë, 3 djem dhe dy vajza, shqiptare, italiane dhe kroate, duket se e kishin kaluar natën duke festuar jashtë. Gjatë kthimit mjeti ku ata po udhëtonin ka dalë nga rruga, duke u përplasur me pemët anash.
Ndërhyrja e policisë, zjarrfikësve dhe autoambulancave ka qenë shumë e shpejtë, por fatkeqësisht njëri prej të rinjve, një 20 vjeçar shqiptar kishte humbur jetën.
Me dy helikopterë ambulancë, janë dërguar në spitale dhe të rinjtë e tjerë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Në ‘Bufalini’ është dërguar një 20 vjeçar italian, një 18 vjeçare shqiptare dhe një djalë 21 vjeçar maroken.
Në Rimini është shtruar një vajzë 22 vjeçe, kroate. Dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë. Për ngjarjen e rëndë ka reaguar në mëngjes edhe kryebashkiakja e Cattolica.