Bashkia e Shkodrës i ka akorduar sot, me një ceremoni solemne në sallën e Këshillit Bashkiak, titullin e lartë “Qytetar Nderi” z. Jörg Lüer.
Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, ka përshëndetur kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi, kryetari i Këshillit Bashkiak z. Xhemal Bushati, presidenti i Komisionit “Drejtësi e Paqe” z. Luigj Mila, Dekania e Fakultetit Ekonomik zj. Blerta Dragusha dhe në fund, “Qytetari i Nderit i Shkodrës” z. Jörg Lüer.
Kontributi i z. Jörg Lüer është veçanërisht i spikatur në hulumtimin, zbardhjen por edhe përcjelljen brezave të rinj të kalvarit të Shqipërisë e shqiptarëve gjatë 45 viteve diktaturë komuniste në vendin tonë.
Vendimi për akordimin e titullit “Qytetar Nderi” për z. Jörg Lüer u propozua nga Komisioni “Drejtësi e Paqe” dhe Shoqata e të Persekuaturëve Politikë të Shkodrës. Antarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës e miratuan unanimisht propozimin e ardhur dhe nga sot, z. Jörg Lüer është “Qytetar Nderi” i Shkodrës.