Detaje të reja nga ekzekutimi i 46- vjeçarit Bardhok Plani, i njohur si biznbesmen në Shkodër. Burime të “Panorama” bëjnë me dije se mbi 120 plumba automatiku janë drejtuar mbi makinën e viktimës
Mbi 20 plumba përfunduan në trupin e Pllanajt, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas ekspertëve hetimorë, kjo është një prej atentateve më të mirëorganizuara në Shkodër.
Mësohet se një makinë tip Pasat me targa italiane ka pritur poshtë shtëpisë së Planit në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik, e sapo ai ka hipur në mjet, pas pak metrash është shenjestruar me breshëri automatiku.
Dyshohet se kanë qenë dy persona të cilët me automatik kallashnikov rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme kanë qëlluar pa pushim Bardhok Planin i cili lëvizte me një mjet tip Range Rover ngjyrë e zezë.
Autorët e kanë qëlluar nga makina në ecje e sipër objektivin e tyre duke e ndjekur për rreth 150 metra. Pasi ka humbur kontrollin, makina e viktimës është përplasur në oborrin e një biznesi.
Menjëherë pas atentatit, autorët ende të paidentifikuar janë futur në një rrugicë dytësore pak metra nga vendi i ngjarjes në aksin Shkodër-Koplik duke djegur mjetin e tyre dhe duke u larguar në drejtim të paditur.
Nga hetimet paraprake për këtë ngjarje të bujshme në Shkodër deri më tani nuk ka asnjë dyshim për autorët e mundshëm apo porositësit e saj. Dyshohet që atentati të jetë nga autorë të paguar nga porositësit e tij.