Pamje që shihni, të siguruara nga ShkodraWeb tregojnë momentin e ekzekutimit së 55-vjeçarit Nazmi Bandula mëngjesin e djeshëm në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:12 minuta. BalkanWeb ka siguruar të gjithë skenën e atentatit, që është filmuar nga kamerat e sigurisë së një biznesi, ku shihet se si një mjet ndalon para lokalit ku ishte ulur viktima dhe qëllon me armë.
Në pamje dëgjohet edhe zhurma e armës, ndërkohë që viktima bie përtokë. Gjithçka duket se ka zgjatur vetëm pak sekonda, rreth 10 sekonda, ndërsa skena është parë edhe nga disa dëshmitarë, që janë tmerruar nga skena e rëndë.
Autorët, dyshohet se kanë qëlluar disa herë në drejtim të Bandulës nga një makinë tip “Benz” ngjyrë gri me xhama të zinj dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Aktualisht policia po heton rreth ngjarjes.
Ndërkohë, ka dalë edhe pamja e makinës së përdorur në atentat. Bëhet fjalë për një mjet benz, ngjyrë gri. Targat e saj rezultojnë të vjedhura para disa kohëve, të një makine “Toyota Yaris” në pronësi të një gruaje me inicialet S.T.
Burime nga grupi hetimor mbi ngjarjen e rëndë, bëjnë me dije se ka dyshime se atentati është kryer nga persona me pagesë.