Edhe natyra duket se qan sot. Mëngjesi i të shtunës erdhi me një shi të lehtë, si për të shprehur trishtimin e Shkodrës për ndarjen shumë para kohe me një nga bijtë më të mirë të tij, Mjeshtrin e Madh Kujtim Alija.
Shkodra por edhe Shqipëria i dhanë sot lamtumirën e fundit, dirigjentit dhe drejtuesit të papërsëritshëm. Kortezhi i përmotshëm u nis nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, ku çdo gjë sot por edhe nesër, është e lidhur me emrin Kujtim Alija, pa dashur të zbehim kontributin e askujt.
Përgjatë pedonales së Shkodrës, janë me qindra qytetarët që e shoqërojnë kortezhin, teksa edhe në bare njerëzit ngrihe në këmbë për të nderuar dirigjentin në udhëtimin e fundit në këtë botë. Banda e qytetit shoqëron me tinguj funebër dirigjentin e saj…
Homazhet zyrtare për të ndjerin, u zhvilluan në hollin e Teatrit “Migjeni”, ku Alija ishte i shtëpisë. Artistë nga të katër anët e vendit, personalitete, figura të njohura publike, qytetarë të thjeshtë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule.
Nga aty, trupi u nis në Xhaminë Ebu Bekr, për të kryer ritet fetare. Nën dhimbjen e familjarëve, miqve e të njohurve, Mjeshtri i Madh Kujtim Alija do të prehet përjetësisht në varrezat e qytetit të Shkodrës.
“Mjeshtri i Madh” u nda nga jeta parakohe në moshën 60-vjeçare ditën e djeshme. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë që i mori jetën, sëmundje me të cilën u përball me mjaft dinjitet, pa u shkëputur asnjë ditë nga puna e pasioni i tij.
Dirigjenti i njohur, ka qenë drejtor artistik për shumë vite i Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve si dhe drejtues i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Shkodër. Kujtim Alija krijoi dhe i la Shkodrës edhe një traditë tjetër, “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, një festival që shpresojmë e urojmë të mos ndërpresë rrugëtimin e nisur që në vitin 1995 nga Mjeshtri i Madh Kujtim Alija.