Dy shpërthime të fuqishme eksplozivi janë dëgjuar në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Shperthimi i parë është dëgjuar rreth ores 02.20 dhe vetëm pas 10 minutash është dëgjuar tjetri.
Nga informacionet paraprake lënda plasëse i është vendosur dy bizneseve, njëri në zonën afër Prefektures dhe tjetri ne vendin e quajtur “Rruga e gjërë”.
Sipas informacioneve paraprake, bisnesi që është sulmuar në Pedonale, një kompani e njohur për tregëtimin e veshmbathjeve, ndertesa ku është vendosur, rezulton në pronësi të Xhemal Bushatit, ish- kandidat i PD- së për Bashkinë Shkodër në 6 mars 2022. Bushati banon në katin e tretë të ndërtesës ku u vendos lënda plasëse.
Bisnesi tjetër, në zonën e njohur në Shkodër si “Rruga e gjërë”, është edhe ai një markë e njohur supermarketesh, me një rrjet të shtrirë jo vetë në qytetin më të madh verior por në të gjithë vendin. Ky bisnes, është në katin e parë të një pallati shumëkatësh në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” dhe rezulton si pronar Florian Marku.
Raportohet për dëme të konsiderueshme materiale. Ndërkohë, pritet që policia e Shkodrës të dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me ngjarjet e rënda.
Shkodër/ Informacion paraprak
Rreth orës 02:20, në derën e supermarketit në pronësi të shtetasit F.M. në rrugën “Bujar Bishanaku” si dhe në derën e një biznesi tjetër privat butik rrobash në pronësi të shtetasit Xh.B. në rrugën “28 Nentori”, është vendosur lëndë plasëse dhe si pasojë e shpërthimit të tyre kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet duke administruar çdo provë dhe duke vlerësuar çdo informacion, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.