Edhe sot, pavarësisht temperaturave të ulta, studentët e Shkodrës kanë dalë në protestë, ashtu siç edhe bashkëmoshatarët e tyre në mbarë vendin. Si çdo ditë, ata janë tubuar para Rektoratit, duke mbajtur në duar pankarta të ndyshme, në mbështetje të kërkesave të tyre. Studentët e Shkodrës janë tashmë në mbështetje të protestuesve në Tiranë e rrethe, edhe pse prej dy ditësh Rektorati, përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar pranim- plotësimin e kërkesave të tyre.
Ditën e djeshme, studentët kërkuan mbështetjen e gjimnazistëve, duke u tubuar para “28 Nëntorit” dhe duke hedhur thirrje të ndryshme. Studentët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.