Strukturat Hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bisturia”.
Në kuadër të operacionit u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve: Serdi Memini, 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe Ervin Sulaj, 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.
-Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasit Fatbardh Duli, 40 vjeç, banues në Shkodër.
Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit E. D., i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.
Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Shkodër.