Arrestohet efektivi i policisë që akuzohet se qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha, mbrëmë pas mesnate, raporton News24. Mësohet se ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme.
Hetimet janë duke u ndjekur nga Prokuroria e Tiranës dhe SHÇBA, të cilët kanë marrë deklarimet e para nga babai i viktimës, oficeri i dyshuar që ka qëlluar dhe kolegu i tij që ishin me shërbim në atë zonë.
Efektivi është baba i një fëmije të mitur dhe jeton me qira në Tiranë. Ai nuk ka më shumë se 3 vite shërbim në Policinë e Shtetit.
Polici ne deshmine e tij te pare pretendon se ka qëlluar në drejtim të Klodian Rashës për faktin se ai e kërcënonte se do qëllonte me armë, ndaj ka shtënë, pa pasur qëllim për ta vrarë.
Efektivi tregon se i ka bërë thirrje disa herë bashkë me kolegun, që i riu të ndalonte për ta pyetur pse kishte dalë jashtë banesës ,ndërkohë që duhet të ishte në shtëpi sipas orës policore. Polici ka theksuar se e ka parë një rrezik potencial për jetën dhe ndaj ka qëlluar 25-vjeçarin, Klodian Rasha.
Por, Prokuroria ka dyshime për mënyrën si ka rrjedhur ngjarja, pasi fakti që i riu është qëlluar në pjesën anësore, në brinjë, e plumbi i ka prekur edhe zemrën, mbetet të sqarohet se çfarë ka ndodhur vërtet.
Do jetë ekspertiza balistike e armëve, dhe kamerat e sigurisë së zonës, sa plumba ka qitur nga arma punonjësi i policisë, distanca mes tyre, ato që do hedhin dritë mbi ngjarjen.