Në vitet 1930-1934 Enver Hoxha ishte formalisht me bursë të Mbretit Zog student në Francë. Duhej të studionte për biologji, por në fakt nuk dha asnjë provim. Regjimi i Mbretit Zog madje nuk i kërkoi sipas ligjit të kohës të kthente paratë mbrapsht. Ishte fare e thjeshtë, koha e qëndrimit të Enver Hoxhës nuk lidhej me kurrfarë shkollimi, por për depërtimin në radhët e organizatës antizogiste Bashkimi Kombëtar, me kredencialin si kunat i antizogistit tradicional që jetonte në Bari të Italisë, për interes të Zyrës Sekrete.
Sa herë që shkonte në Francë, Enver Hoxha ndalonte në Bari të Italisë, pranë kunatit. Pikërisht fotoja origjinale e tregon me të motrën Fahrien dhe nipin e vogël. Mirëpo, kur doli libri “Vite të rinisë”, nipi dhe motra kanë fluturuar nga fotografia, ndërsa vendi i fotos paraqitet sikur është në Francë, në mënyrë që të jepet ideja e një studenti serioz atje. Pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, Enver Hoxha shkoi e qëndroi 3 muaj në Itali, duke ndaluar për herë të fundit në shtëpinë e Bahri Omarit. /Nga Kastriot DERVISHI, 55news.al/