Nga Kastriot DERVISHI, studiues
Një shalqi u bë si molla e ndaluar për disa shokë komunistë në Rrethin e Fierin. Pasi e hëngrën shalqinin e kooperativës, ata u kallëzuan dhe dhanë llogari në parti. Por partia u tregua zemërgjerë. Për një çështje të tillë u angazhuan edhe shokët e udhëheqjes së lartë të partisë.
Në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 9.2.1977 sekretari raportoi Hekuran Isai, i cili kishte bërë një vizitë në Ballsh. Shihni tani pjesë nga bisedat e rëndësishme të udhëheqjes me çfarë problemesh themelore merresh.
Pjesë nga biseda:
Enver Hoxha: Ti shoku Hekuran, këto ditë ishe në Fier dhe pate rastin ta shikoje konkretisht gjendjen në këtë rreth. Mund të na thuash si shkojnë atje punët e partisë?
Hekuran Isai: Unë shoku Enver, mora pjesë në mbledhjen e byrosë së komitetit të partisë. Në rend të ditës së kësaj mbledhjeje kishin problemin e kuadrit…Në të vërtetë shokët e udhëheqjes atje u shqetësuan për këtë trajtim jo të thellë që u kishin bërë problemeve kaq të rëndësishme për jetën e partisë. Kështu, për shembull, ishte rasti i përjashtimit të 3 komunistëve në fshatin Drenie, vetëm sepse ata kishin ngrënë një shalqi nga të kooperativës që kushtonte 18 lekë të vjetra.
Enver Hoxha: Sa shalqinj kishin ngrënë ata?
Hekuran Isai: Vetëm një shalqi.
Enver Hoxha: Dhe për këtë “faj” i dënuan kaq rëndë, sa i përjashtuan nga partia?!
Hekuran Isai: Po shoku Enver, u përjashtuan nga partia me vendim të Byrosë së Komitetit të Partisë së Rrethit dhe u rikthyen në parti kur çështjen e shqyrtoi Komisioni Qendror Kontrollit dhe Revizionit.
Enver Hoxha: Byroja e Komitetit të Partisë së Rrethit që mori këtë masë tregon se ajo nuk është në rregull.
(vijon tematika)