Edi Rama, duket se po bëhet gati për një operacion politik të ngjashëm me vitin 2016 – 2017, si një manovër përpara zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit.
Burime pranë mazhorancës bënë të ditur se në afrimin e atmosferës elektorale, PS pritet të bëjë disa lëvizje si në organizimin e brendshëm partiak, ashtu edhe në atë të qeverisë. Ka disa variante që konturohen si mundësitë e një lëvizjeje që të sjellë më shumë vibracion tek militanca dhe elektorati, i mësuar me një klimë të ndenjur disa vjeçare.
Këto burime, bënë të ditur se dy lëvizjet kryesore që do të prekin qeverinë e Edi Ramës janë rikthimi në Kosovë i ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe shefit të diplomacisë në detyrë, Genti Cakaj. Të cilët pritet të shërbejnë si një “ardhje e re” në PDK e Kadri Veselit, pas trazimit që ka pasur kjo forcë politike si pasojë e akuzës nga Prokuroria Speciale ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit
Nga ana tjetër, mësohet se Cakaj e Shahini nuk do të jenë lëvizjet e vetme në kabinet, por ka gjasa që dy sektorë që mund të preken është edhe Drejteësia dhe Financat. Etilda Gjonaj, ministrja aktuale e Drejtësisë, si dhe Anila Denaj, ministrja e Financave, pritet të dërgohen si drejtuese politike në dy qarqe të rëndësishme të vendit, ku ka pasur më shumë polemika dhe probleme.
Durrësi dhe Shkodra, mësohen se janë qarqet ku ka një polemikë më të madhe në strukturat e PS-së, ku mund të dërgohen dy ministre aktuale. Ndërkaq, në lidhje me zëvendësimin e Gjonajt e Denajt, por edhe Cakajt e Shahinit, ka disa versione që qarkullojnë
Në një skenar flitet emërimi i teknokratëve, që mund të mos komplikojnë politikisht dikasteret ku natyrisht fshihen interesa të mëdha politike, por një tjetër skenar është edhe sjellja në detyra ministrore para zgjedhjeve të socialistëve të vjetër, përfaqësues të grupit të para 2000, apo edhe para “Rilindjes”
Një model të tillë Edi Rama e implementoi në Partinë Socialiste, ku dërgoi një socialist të vjetër si Petro Koçi, në një zonë të rëndësishme për të majtën siç është zona e Kombinatit në Tiranë.
Me largimin e Saimir Tahirit, PS e Kombinatit vetëm u komisarua dhe asnjëherë nuk pati një drejtim të ri, pikërisht për të mos prishur ekuilibret e krijuara dhe popullaritetin ende të konsiderueshëm të ish-ministrit të Brendshëm. Megjithatë, dilemat janë shumë si për kohën e zbatimit, që siç mësohet Rama do të sjellë “supriza” ashtu edhe për emrat e ministrave të rinj, që megjithatë kanë hapur një vibrim iluzional tek grupet e interesit në PS dhe një garë lobimi për të qenë në listën e Kryeministrit. /Shqip/