“Vllaznia asnjëherë nuk do diskutohet për mbijetesë”, këto ishin fjalët e Bekim Balajt për “Panorama Sport”, pas ndeshjes me Dinamon. Kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i ekipit shënoi golin e tretë ndaj bluve, duke shkuar në kuotën e 8 golave, ç’ka i jep një mesatare një rrjetë për dy ndeshje sulmuesit shkodran.
Balaj shprehet se ajo që ka rëndësi, është se ekipi arriti që të reflektojë pas humbjes me Egnatian dhe reagoi shumë mirë ndaj Dinamos. I pyetur gjithashtu edhe për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës, 32-vjeçari thotë se do të jetë një takim direkt për vendin e tretë, ndërsa për duelin e golave me Florent Hasanin, Balaj nuk e mendon aktualisht.
Bekim, goli i radhës ndaj Dinamos, sa i kënaqur jeni?
Sigurisht që më vjen mirë që shënuam, por më shumë jam kënaqur me fitoren e për më tepër që realizuam të tre sulmuesit, bashkë me Çobën dhe Grudën. Ishte një fitore e merituar dhe pavarësisht se u ndëshkuam në fillim të takimit, arritëm që të bënim më të mirën. Arritëm që të kthejmë që në pjesën e parë takimin. E rëndësishme është fitorja, por më e rëndësishme është vazhdimësia që duhet të kemi.
Ekipi reagoi, por mbrojtja tregoi defekte në fillim të takimit?
Arritëm që të shënonim edhe pse ishim ndëshkuar. Ne luajtëm si në sulm dhe në mbrojtje, të gjithë bashkë si skuadër. Duhet të mundohemi që të riparojmë ato gabime si skuadër dhe të fitojmë si skuadër. Edhe mbrojtja në këtë ndeshje ishte në nivelin e duhur, pavarësisht gabimit të fillimit më pas shkoi çdo gjë mirë.
Pse gjithë ato oshilacione në fillim?
Nuk kanë qenë paraqitje që duhet të kishim bërë, por siç thashë kjo fitore na jep shpresë dhe motivim më tepër për të mbyllur mirë edhe dy ndeshjet e ardhshme.
Ndryshimi u duk disi edhe me Dinamon…
Sigurisht, jemi munduar që të reflektojmë dhe e bëmë një gjë të tillë, pas asaj humbje me Egnatian. Ne gjetëm mundësinë dhe treguam forcën që kemi mundësi për të reflektuar.
Rrjeta e tetë për ju, a synoni realisht që të jeni “Këpuca e Artë” në fund të sezonit?
Shpresoj që të bëj më të mirën për ekipin dhe të fitojmë e të kapim ritmin e duhur si skuadër, pastaj golat e shënuar më kënaqin edhe mua si lojtar. Shpresoj që golat të jenë në dobi dhe të mirë të skuadrës së Vllaznisë.
Zërat po flasin për një Vllazni për mbijetesë, po ju si e vlerësoni?
Nuk e kemi nisur mirë, por kjo skuadër e ka treguar se e ka forcën e duhur për të arritur më të mirën. Nuk e kemi nisur mirë, por mendoj se do të gjejmë forcën e duhur për të reflektuar. Asnjëherë nuk do të diskutojmë për mbijetesë.
Java e ardhshme me Tiranën, si e shihni këtë takim?
Vijmë pas kësaj fitoreje dhe mendoj se situata është e mirë. Menjëherë filluam që të mendonim për Tiranën. Kjo ndeshje mund të jetë direkt për vendin e tretë dhe për këtë ka edhe më shumë vlerë.
Sfida mes Bekim Balajt dhe Florent Hasanit?
Mund të them se luhet vetëm mes Vllaznisë dhe Tiranës. /Nga Admir URUÇI/