“Çudira” në Shkodër me qendërmbrojtësin brazilian Kasius Vinicius Koelho. Edhe pse u prezantua me bujë nga klubi, lojtari ka dalë shumë shpejt nga planet e trajnerit Tomas Bradriç dhe tashmë është kthyer në hall më vete për drejtuesit.
Brazilianit i është komunikuar prej disa ditësh për të gjetur një marrëveshje që konsiston në prishjen e kontratës para kohe me klubin. Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se Kasius Vinicius Koelho jo vetëm që refuzon të pranojë kërkesën e klubit, por nuk ka ndërmend të largohet nga Shkodra, edhe pse prej disa ditësh bën vetëm vrapime gjatë kohës kur skuadra stërvitet.
Në klub po mundohen të bindin futbollistin për të gjetur një zgjidhje me marrëveshje, duke qenë se nuk është në planet e Brdariç. Mirëpo, ai insiston se Vllaznia duhet t’i respektojë kontratën që ka firmosur me të në muajin e kaluar.
Në miqësoren e fundit ndaj Apolonisë braziliani u pa në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi”, teksa nuk u grumbullua fare nga trajneri. Burime në klub tregojnë se qendërmbrojtësi u ka propozuar drejtuesve që t’i gjejnë një ekip tjetër në Superiore dhe të ndajnë pagën.
Pra, gjysmën ta paguajë Vllaznia dhe pjesën tjetër skuadra që mund të marrë shërbimet e tij. Por as për këtë variant palët nuk po gjejnë akordin. Nuk kanë qenë të pakta rastet që lojtarët e huaj kanë përfituar nga kontratat e nënshkruara me klubin shkodran, duke e hedhur në gjyq dhe fituar më pas shuma të majme. Ndoshta rasti i brazilianit të ardhur së fundmi mund të përfundojë me padi në FIFA.