Pavarësisht oshilacioneve në ndeshjet e fundit, objektivat e Vllaznisë nuk kanë ndryshuar. Ka qenë sponsori Alban Xhaferi ai që në një prononcim për TV Klan ka bërë të ditur se synimet e kuqebluve janë ende në lojë.
“Jemi besimplotë që do t’i arrijmë objektivat që ne kemi, atë minimalen, kualifikimin në Kupat e Europës, por pa anashkaluar ëndrrën tonë të madhe, shpalljen kampion”.
I pyetur ndërkohë për arsyet e rënies së rezultateve, sponsori i kuqebluve e ka shpjeguar atë sipas mënyrës së tij duke deklaruar:
“Arsyet mund të jenë disa. Duke filluar nga mungesat e disa lojtarëve në të gjitha këto ndeshje e përpos tyre, në Shkodër ka patur tre muaj shi papushim dhe si rrjedhojë skuadra ka patur vështirësi të jashtëzakonshme për të bërë stërvitje.
Përpos këtyre faktorëve, mund të jetë edhe një faktor psikologjik dhe ndoshta kemi kaluar pak në eufori”
Por a do të ketë masa për stafin dhe lojtarët? Sponsori Xhaferi i anashkalon të gjitha këto e prandaj shprehet: “Jemi të zhgënjyer, por kjo nuk është dramë. Përkundrazi ne nuk duhet të humbim besimin tek kjo skuadër.
Sepse janë këta lojtarë, është ky staf trajnerësh që na bëri krenar para një muaji dhe konkurrentë të fortë. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim se Vllaznia nuk duhet të ketë frikë asnjë kundërshtar dhe prandaj ne do t’i qëndrojmë afër lojtarëve në mënyrë që të kemi kthesën e duhur. E këtë do ta kërkojmë që në ndeshjen e rradhës ndaj Kukësit, ku do të synojmë vetëm fitoren”.
PËR KOHËN E LIRË, ARGËTIMIN TUAJ, MBI 6 ORË HUMOR I ZGJEDHUR PËR KËNAQËSINË TUAJ! JEPI “PLAY” DHE SHIJO!