Vllaznia e vajzave në futboll nuk ndalet. Vajzat kuqeblu nuk njohin rivalë. Të drejtuara nga dyshja Matija- president dhe Leka- trajner, vajzat e Vllaznisë kanë siguruar titullin e 11- të radhazi si kampion kombëtar.
Ato kanë mundur në finalen e “Final 4” ekipin e Apolonisë, i cili u rendist pas vajzave kuqeblu edhe në përfundim të Siuperligës. Në fushën e “Shtëpia e Futbollit” në Tiranë, ka qenë një fitore e siguruar që në pjesën e parë me 3 gola, zbukuruar edhe me një tjetër në pjesën e dytë.
Kapitenia Franja shënoi dy herë, nga një herë Berisha dhe Ramadani, duke i regjistruar një poker vajzave fierake. Dominimi i Vllaznisë ishte absolut edhe në këtë ndeshje, ashtu si në 11 vitet e fundit, ku përveç kampionatit kanë koleksionuar edhe 11 kupa të Shqipërisë.
Një ekip model, i pamposhtur që nga krijimi dhe 12 ndeshjet e fundit madje, pa pësuar asnjë gol. Suksese e urime vajzave kuqeblu, krenaria e Shkodrës, krenaria e futbollit shqiptar! Rrugëtim të mbarë edhe në Ligën e Kampionëve!