Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak Shkodër ka në dorë fatet e Vllaznisë europiane. Nëse ai nuk do të miratojë fondin e kërkuar nga Bashkia për shlyerjen e detyrimeve tatimore, ekipi i Vllaznisë nuk do të mundet të marrë pjesë në Kupat e Europës në fund të sezonit.
Për këtë arsye, sytë dhe vëmendja e të gjithë tifozëve shkodranë sot do të jenë të fokusuar tek mbledhja e orës 17:00 e këtij Këshilli i cili mund të marrë një vendim shumë të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të klubit kuqeblu.
Pika e tretë e rendit të ditë do të jetë ajo e miratimit të projekt- vendimit për një ndryshim të VKB nr.63, dt.28.12.2020 “Për miratimin e buxhetit të vitit 2021 dhe programit buxhetor afatmesëm përfundimtar 2021-2023 të Bashkisë Shkodër”.
Po çfarë përfshin ky projekt- vendim që Bashkia Shkodër kërkon të marrë miratimin e Këshillit Bashkiak? Bashkia ka kërkuar rishpërndarje të fondeve të veta, transferta të pakushtëzuara dhe të ardhura të veta, në shumën 96 702 305 mijë lekë.
Kjo shumë është planifikuar të shkojë për zbatimin e programit të strehimit social (shtesë), për bashkëfinancim për përshtatje për strehim social të objektit ekzistues, pjesë e konviktit të shkollës industriale “Arben Broci” dhe e treta, ajo më e rëndësishmja, për administrimin e klubit të futbollit Vllaznia (shtesë) në shumën 82 609 863 lekë.
Pra thënë ndryshe Bashkia Shkodër i ka kërkuar Këshillit Bashkiak që të miratojë sot shumën prej afron 820 milionë lekë të vjetra që do të shkojnë për të mbuluar detyrimet e prapambetura për sigurime dhe tatime.
Nëse kjo shumë miratohet, atëherë do të arrihej të paguhej jo vetëm 20 % që duhet për të lidhur marrëveshjen me Drejtorinë Rajonale Tatimore Shkodër por edhe pagesat e kësteve deri në fund të vitit 2021.
Çka do të thotë se do të ishte një lehtësim jashtëzakonisht i madh për barrën që KF Vllaznia ka ndaj këtij organi, por edhe për vazhdimësinë sepse do të lehtësonte shumë mbarëvajtjen e punës së këtij klubi, për më tepër që është edhe në prag të privatizimit.
Por, edhe nëse ky fond miratohet sot, kuptohet që për t’u lëvruar do kohën e vet sepse duhen ndjekur procedurat ligjore për kalimin e tij në numrin e llogarisë së KF Vllaznia dhe kjo gjë në fakt nuk përkon me periudhën e mbylljes së procesit të liçensimit të klubit për pjesmarrjen e tij në Kupat e Europës.
Por, drejtuesit e klubit e kanë gjetur edhe këtu një zgjidhje. Siç është bërë e ditur dje nga vetë sponsori Alban Xhaferi në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, ai do të ishte i gatshëm t’i jepte hua klubit shumën që duhet për lidhjen e marrëveshjes me Drejtorinë e Tatimeve, por kuptohet që sponsori kërkon garanci për rikthimin e këtyre parave.
Dhe garancia është vetëm miratimi i projekt- vendimit nga ana e Këshillit Bashkiak Shkodër për lëvrimin e fondit të kërkuar nga Bashkia. Nëse gjithçka sot shkon ok dhe projekt- vendimi miratohet, atëherë Vllaznia është në Europë. Ndryshe… /ShkodraSport/