Ditën e sotme është bërë e ditur nga ana e klubit shkodran se shitja e biletave për ndeshjen ndaj qipriotëve të AEL Limasol do të nisë nga paraditja e së hënës. Po ashtu, mësohet se çmimet e biletave edhe për këtë ndeshje do të jenë njëlloj si në ndeshjen e turit të parë ndaj Shiroki Brijeg.
Kështu, një biletë në tribunë VIP do të kushtojë 50 mijë lekë të vjetra, ndërsa në tribunat A dhe B, biletat do të kushtojnë nga 10 mijë lekë të vjetra. Më të lira janë ndërkohë biletat për tribunën D, ku çmimi është 6 mijë lekë të vjetra, ndërsa në tribunën C bileta do të kushtojë vetëm 3 mijë lekë.
Interesimi për këtë sfidë duket shumë i madh dhe kuptohet që kapaciteti i lejuar i stadiumit “Loro Boriçi” do të jetë i tejmbushur.
Pritet që vetë klubi shkodran t’u bëjë thirrje çdo ditë tifozëve të vet për një mbështetje korrekte për të mos patur probleme disiplinore nga UEFA siç ndodhi edhe në ndeshjen e kaluuar kur klubi u gjobit me 10 mijë e 700 euro gjobë si rrjedhojë e hedhjes së sendeve të forta në fushë dhe ndezjen e fishekzjarreve në shkallët e stadiumit.