Shkodranëve nuk iu del inati për golin e anuluar në fundin e sfidës nda Partizanit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Së fundmi zbulohet se presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi ai i është drejtuar me një shkresë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit, ku i ka bërë të ditur edhe njëherë tjetër të gjithë penalizimet e pësuara nga ekipi i parë, por edhe ato të Akademisë.
Po ashtu, i është bërë e ditur drejtuesve të lartë të këtij institucioni se gjithmonë ankesat janë bërë në mënyrë zyrtare dhe me prova të pakontestueshme, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigjen e duhur dhe vijimi i këtyre ndëshkimeve ka sjellë edhe një nervozizëm të dukshëm tek lojtarët, stafet dhe po ashtu edhe tek tifozët.
Klubi Vllaznia në shkresën e tij të radhës, i ka kujtuar edhe njëherë tjetër disa nga rastet më flagrante të ndëshkimeve të tij nga gabimet e arbitrave, për të përfunduar tek gabimi i djeshëm, në ndeshjen e Kupës ndaj Partizanit, ku Vllaznisë iu anulua goli në minutën e 93-të.
Shkodranët mendojnë se kryesori Ferataj dhe arbitri i VAR-it Koçi nuk kanë gabuar nga ana njerëzore, por ata janë të qëllimshme. Për të gjitha këto arsye, KF Vllaznia mësohet se i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit përjashtimin nga drejtimi i ndeshjeve të Superligës. Njëkohësisht mosarbitrimi nga ana e tyre i asnjë ndeshje ku luajnë ekipet e Vllaznisë.
Por drejtuesit kuqeblu nuk janë mjaftuar me kaq, sepse kanë kërkuar nga institucionet përkatëse të FSHF-së edhe nisjen e një hetimi të thelluar disiplinor për këto dy arbitra, për influencën që mund të kenë patur nga palë të treta për ndikimin në rezultatin e ndeshjes Partizani- Vllaznia.