Klubi i Vllaznisë është kritikuar shpesh për keqmenaxhim të tijin gjatë viteve të kaluara. Por përtej problemeve të pasqyruara në fushën e lojës, në aspektin e pagave, klubi shkodran ka qenë i detyruar të jetë më korrekti në elitën e futbollit shqiptar, pasi ishte në varësi të Bashklsë së Shkodrës dhe të gjitha pagat deklaroheshin.
Kjo shihet qartë edhe në dokumentin e pagave që ka qarkulluar sot me rrogat e janarit 2021. Në klubin shkodran janë deklaruar pagat e plota, pasi lojtarët figurojnë me shifrat reale që kanë përfituar çdo muaj, jo siç kanë bërë klubet e tjera që kanë vendosur paga tavan për shumat e deklaruara në shtet, apo thjesht kanë paguar lojtarë në të zezë.
Kështu, lojtari më i paguar në Superiore sipas dokumentit në fjalë rezulton të jetë Ardit Hoxhaj më rrogë mujore 488,000 lekë. Pas tij është ish-sulmuesi i shkodranëve. Haris Dilaver, për të cilin kuqeblutë kanë deklaruar pagë mujore 475,000 lekë.
Të dy kanë rrogë edhe më të lartë se trajneri Thomas Brdariç, i cili figuron me pagë mujore 427,570 lekë. Më pas vijnë me radhë Adili e Da Silva (320,000 lekë), Isaevski (310,000 lekë), Gurishta (260,000 lekë), Imami (253,000 lekë) si dhe katërshja Krymi-Fangaj-Marku-Imeri (250,000 lekë).
Thuajse të gjithë pjesëtarët e klubit figurojnë me rroga të plota në këtë listë pagash, duke treguar se sa mund të shpenzojë realisht një klub i Superiores, edhe pse drejtues të Vllaznisë në fakt deklarojnë se kanë paga “mesatare” për standartin e klubeve në vendin tonë.