Vllaznia ka qenë shumë e angazhuar në merkato, por edhe nga ky grup të ardhurish klubi pritet që të bëjë largimin e parë, ende pa nisur sezoni. Pavarësisht se ka firmosur me lojtarët e sapoardhur, kushtet e kontratës mund të jenë të tilla që drejtuesit mund të largojnë ndonjërin nga prurjet, të cilat akoma nuk janë federuar.
Nga burime pranë klubit ka mësuar se sulmuesi brazilian Viktor da Silva Matos parashikohet të largohet nga Vllaznia pa nisur sezoni.
Mesa duket, paraqitja e brazilianit dhe kritikat për golat e pakët të shënuar që tifozët i kanë komentuar në rrjetet sociale mund të kenë bërë që drejtuesit të ndërmarrin një veprim të tillë.
Por edhe afrimi i sulmuesve të tjerë, si Dunga, Mandiangu apo shkodrani Çoba, mund të bëjnë që hapësirat për brazilianin të jenë të pakta. Da Silva nuk ka luajtur asnjë minutë në miqësoren e fundit ndaj Pogradecit. /Nga Admir URUÇI, PanoramaSport/