Klubi i Vllaznisë është në zi pas ndarjes së parakohshme nga jeta të vajzës së Alban Hasanit, Vesës. Prej disa ditësh vajza e drejtorit të Akademisë së Futbollit Vllaznia dhe ish-futbollistit luftonte me një situatë të vështirë shendetësore, teksa ditën e djeshme trajneri Memelli zgjodhi të mos prononcohej për mediat pas fitores me Skënderbeun për këtë arsye.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi shkodran me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan: “Mbarë komuniteti i futbollit shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme të Vesës – vajzës së mikut, kolegut tonë Alban Hasanit. Fjalët janë të tepërta në këto momente trishtimi , por i lutemi Zotit që ta forcojë familjen dhe shpirti i saj të prehet në paqe”.
“Zoti e paska shkruar që Vesa të largohet nga në shumë para kohe, megjithatë në emrin tim dhe të familjes time, dua të falenderoj të gjithë personelin e Spitalit Rajonal Shkodër, në veçanti reanimatorët dhe infermierët për përkujdesjen e treguar.
Faleminderit për gjithçka bëtë për vajzën tonë, por Zoti mesa duket e deshi atë për vete”- është shprehur për “ShkodraSport” Alban Hasani në këtë moment shumë të vështirë.
“Një lajm i trishtë që ka prekur familjen Hasani, ka tronditur të gjithë opinionin publik në Shkodër. Vajza e Përgjegjësit të Sportit në Bashkinë Shkodër Alban Hasani, ka ndërruar jetë në moshën 17 vjeçare.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe i gjithë stafi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë ndarje para kohe nga jeta të vajzës 17 vjeçare, dhe qëndron pranë familjes në këtë humbje tragjike.”, shkruhet edhe në faqen zyrtare në facebook të Bashkia Shkodër.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Hasani, të afërmëve të saj për humbjen e vajzës së tyre të shtrenjtë.