Nuk ka gola dhe fitues në Vllaznia-Laçi. Dueli i luajtur në “Loro Boriçi” ishte tepër i luftuar dhe plot duele të forta në çdo cep të fushës. Rikthim me barazim për Shpëtim Duron në stolin e bardhezinjve kurbinas, që mbetën në vend të dytë me dy pikë mbi Kukësin ndjekës.
Da Silva, Ante Aralica dhe Liridon Latifi kërcënuan për vendasit, ndërsa Julian Shehu dhe Mentor Mazrekaj tentuan për ekipin mik. Pjesa e dytë ishte më e bukur, me dy skuadrat që tentuan golin.
Bashkim Velija kishte një mundësi fantastike për Laçin, por anësori i djathtë u vonua shumë dhe fitoi vetëm një këndore. Për kurbinasit e Duros provuan edhe Ujka, Shehu dhe Guindo, ndërsa kuqeblutë e Plorit tentuan me Jonuzin, Latifin, Da Silvën dhe Adilin.
Në fund barazim 0-0, me Laçin që ngjitet në kuotën e 47 pikëve, ndërsa skuadra e Vllaznisë (40) i lë vendin e katërt Partizanit (41.)