Me futbollin vendas që prodhon pak ose aspak të ardhura, mjafton të përmendim një detaj, titulli kampion vlen vetëm 100 mijë euro, ekipet shqiptarë e shohin europën si të vetmen rrugë për të minimizuar shpenzimet ose në rastin më të mirë për të nxjerrë ndonjë fitim.
Ekipet e mëdha, që rrjedhimisht kanë dhe më shumë shpenzime sezonale, punojnë vetëm për të prekur europën, gjithashtu një treg i rëndësishëm për të nxjerrë në vitrinë lojtarët e tyre. Këtë vit aventura europiane ka nisur me këmbën e mbarë ku të katër ekipet pjesëmarrëse u kualifikuan në bllok për në raundin e dytë në Conference League.
Diskutimi është pak më ndryshe për Teutën me kampionët që nuk ia dolën të ecnin në Champions por tashmë kanë një mundësi të dytë në Conferencë League ku do të përballen me kampionët e Andorra, Inter Esclades. Në një mbrëmje të vetme, Partizani, Vllaznia dhe Laçi arritën të kalojnë raundin e parë në këtë turne, që do të thotë plus 350 mijë euro më shumë në arkat e tyre, shto këtu edhe 200 mijë euro vetëm për pjesëmarrjen, duke e dërguar në total në 550 mijë euro përfitimet deri në këtë pikë të Conference League.
Shorti sa vjen e ndërlikohet në raundin e dytë, por të katër ekipet shqiptare, mbase përjashto vetëm Partizanin, që përballë do të ketë gjigandët e Bazel, i kanë të gjitha mundësitë për të vijuar më tej.