Ditën e sotme KF Vllaznia sh.a. do të prezantojë para mediave stafin e ri teknik. Ka qenë vetë klubi kuqeblu që ka njoftuar, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, në orët e vona të së dielës. Ndërsa duket se në krye të stafit teknik si trajner do të jetë gjermani Thomas Brdariç, interes paraqet pjesa tjetër e stafit, ndihmësit e tij dhe trajneri i portierëve. A do të jenë emra të rinj apo klubi shkodran do ti besojë stafit që punoi me trajnerët Mirsad Jonuz e Hysen Dedja? Kjo do të mësohet sot, në orën 11.00 në konferencën për shtyp të njoftuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.
Postimi i KF Vllaznia sh.a.
NJOFTIM PËR MEDIAT
KF Vllaznia bën të ditur se nesër në orën 11.00 në sallën e konferencave të stadiumit “Loro Boriçi” do të bëhet prezantimi i trajnerit të ri të ekipit të parë si dhe i pjestarëve të tjerë të stafit teknik. Ftojmë mediat e interesuara të jenë të pranishme.
Faleminderit!