E imagjinoni dot një Vllazni që e mbyll sezonin si kampione apo në vendin e dytë dhe të tretë, e më pas nuk merr dot pjesë në Kupat e Europës!? Kjo i ka ndodhur Skënderbeut për shkak të dënimit nga UEFA, por tashmë është klubi shkodran që rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Europës prej një detyrimi të akumuluar prej vitesh në Tatime, i cili ka shkuar plot 1.6 miliardë lekë.
Një histori që mban peng prej vitesh licencimin e Vllaznisë për t’u përfaqësuar në kompeticionet e UEFA-s, gjithnjë nëse sportivisht arrin të kualifikohet. Këtë sezon gjithçka po shkon për mrekulli dhe Vllaznia është një kandidate potenciale jo thjesht për të siguruar zonën e UEFA- s, por për të fituar titullin kampion dhe duke marrë pjesë në Champions. Një problematikë që nuk po zgjidhet ende është pikërisht marrëveshja me Tatimet. Sipas UEFA-S, kriteri financiar mbetet më i rëndësishmi, pasi klubet nuk duhet të kenë probleme në detyrimet e prapambetura karshi të tretëve, individëve të veçantë dhe veçanërisht organeve tatimore.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime pranë drejtorisë së Tatimeve dega Shkodër, se klubi Vllaznia duhet të derdhë patjetër 320 milionë lekë të vjetër për t’i hapur rrugën marrëveshjes, nga e cila mund të shpëtojë këtë sezon futbollistik dhe skuadra të marrë pjesë në Europë.
Për borxhin 1.6 miliardë lekë të vjetra duhet gjetur patjetër një marrëveshje mes bashkisë Shkodër, si pronare e klubit Vllaznia dhe drejtorisë së tatimeve, por kjo duhet të bëhet realitet përpara datës 31 mars 2021. Prej muajsh bashkia dhe drejtoria e tatimeve janë në një seri negociatash për të bërë të mundur arritjen e akt-marrëveshjeje mes palëve për shlyerjen e kësaj shume.
Gazeta zbulon se një akt-marrëveshje e tillë mund të nënshkruhet vetëm nëse klubi i futbollit Vllaznia sh.a., që administrohet totalisht nga bashkia Shkodër, do të paguajë si këst të parë një vlerë prej 20 % të borxhit që është si shumë e paracaktuar. Nisur nga vlera, kjo shumë është afro 320 milionë lek të vjetra, që në fakt nuk është diçka e parashikuar në buxhetin e klubit për këtë vit kalendarik. Pa këtë shumë të paracaktuar në ligj, nuk ka vend për t’u ulur në diskutime për aktmarrëveshje, pasi duhet plotësuar me çdo kusht nga ana e klubit. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga burime pranë drejtorisë së tatimeve të Shkodrës.
Nga ana tjetër, mësohet se klubi përmes drejtuesve i ka kërkuar drejtorisë së tatimeve që të rishikojnë këtë vlerë, pasi ajo që ato afrojnë nuk mbërrin as te dy të tretat e shumës që kërkohet. Nisur nga kjo, Vllaznia pavarësisht ecurisë së deritanishme, nëse nuk zgjidh çështjen e licencimit, atëherë çdo arritje do t’i shkojë dëm këtë sezon. Data limit për të paraqitur dokumentacionin është 31 marsi, ndërsa FSHFja në muajin prill, do të japë vendimin përfundimtar për dhënien ose jo të licencës së klubit shkodran përmes Komisionit të Licencimit.
Vllaznia ka 20 vite që nuk fiton titullin kampion dhe këtë sezon po shkëlqen, teksa deri pak javë më parë ishte plot 9 pikë e shkëputur në krye. Mirëpo, shkëlqimi i këtij ekipi ka ardhur duke u zbehur në javët e fundit dhe distanca me ekipin që e ndjek, Partizanin, ka shkuar në +4. Në Shkodër, duke njohur tashmë problematikën që ka klubi për t’u licencuar në Kupat e Europës, duke qenë se në vitet e fundit nuk ka marrë aprovimin nga FSHF-ja, kanë nisur të aludojnë për situatën në ekip. Rënia e ekipit i faturohet edhe mosmarrjes së mundshme të licencimit. /Nga Admir URUÇI, PanoramA/