Vllaznia ka hedhur një hap shumë të madh drejt rënies nga Superiorja! Urojmë të mos ndodhë kështu, por sot jemi në vendin e parafundit në renditje, dy pikë larg Kamzës dhe Teutës! Bashkë me Lushnjën, sot jemi të rënë nga Kategoria Superiore!
Dëshirojmë të mos ndodhë, por nëse Vllaznia rrëshqet një kategori më poshtë, përgjegjësia kryesore paradoksalisht do të jetë e Bashkisë Shkodër si aksionare e vetme. Them paradoksalisht sepse Vllaznia e sotme është më e mirëpaguara ndonjëherë, qoftë me privat, qoftë edhe me shtet. Detyra e aksionarit është të sigurojë paratë e nevojshme, të cilat përmes Këshillit Bashkiak si Asamble e SHA, kanë kaluar sipas kërkesave që ardhura nga Klubi. Pra, nuk ka qnënë problem lekësh, mungese të fondeve.
Tek pjesa teknike, të paktën në sezonin e fundit, Vllaznia është drejtuar nga dy emra të rëndësishëm si Armando Cungu dhe sot Ernest Gjoka. Dy fazat e para afrimet në ekip janë bërë sipas planeve të Cungut, ndërsa nga janari ekipi është ndërtuar sipas ideve të Gjokës. Të thuhet se nuk ka patur afrime në ekip, është e padrejtë.
Po çfarë nuk ka funksionuar? Para ka patur, trajnerë të mirë dhe të sukesshëm dhe lojtarë sipas preferencave të tyre… Ateherë? Vështirë të gjendet “ilaçi”, jo në këtë fazë shumë delikate, por as më pas nuk mund të ketë një analizë të saktë. Por mbetet që faji ti faturohet…Bashkisë Shkodër sepse nuk kemi kujt ja faturojmë tjetër. Natyrisht, edhe Shoqërisë Aksionare, e cila kulmon me 45 burra e gra të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. E thënë ndryshe, deri tani është një dështim “kolektiv”, i cili rrezikon të regjistrojë rezutatin më negativ në historinë e klubit 100 vjeçar me emrin Vllazni: Rënien nga kategoria elitare!
Rënia apo qëndrimi në Superligë e Vllaznisë, do të shfrytëzohet politikisht. Sidomos në prag të zgjedhjeve të 2019-ës. Por përfitimi mund të jetë modest për të mos thënë i parëndësishëm. Nëse Vllaznia rrëshqet, deri në qershorin që vjen, ajo do të rikthehet sërisht në elitë, ashtu siç ndodhi edhe me Tiranën që sivjet u ngjit pasi ra nga Superliga. Por edhe nëse qëndron në Superiore, Vllaznia do të përmendet si model “i dështimit” të administrimit nga PD të pushtetit vendor. Por në të dy rastet, mendoj se përfitimi do të jetë minimal, ngado ta shohësh.
Deri atëhere, janë edhe 3 ndeshje, edhe 9 pikë në lojë. Trajneri Gjoka sot e tha qartë: Shpresojmë tek ndonjë gabim i rivalëve direktë dhe ne duhet të fitojmë 3 ndeshjet e mbetura! Me një logjikë njerëzore por edhe matematikore, është vështirë të kemi ngjarje “të sigurta” të tipit: Ne fitojmë, ata humbasin në të njëjtën kohë! Aq më shumë me këtë Vllazni që sot, përballë një Kamze inekzistente, ishte e padëmshme në fushë.
Çfarë mbetet? Është e çuditëshme, por ngelet vetëm të ngrejmë kokën lart, nga qielli, aty ku shumica- edhe e futbollistëve, besojnë se ka një fuqi të mbinatyrshme të quajtur Zot! Mbetet vetëm të lutemi dhe të presim një mrekulli nga qielli, në përgjigje të lutjeve të të gjallëve por edhe të vdekurve që lindën e u larguan me ngjyrat kuqeblu në zemër! Sot Vllaznia jonë ka vdekur! Vetëm dora e Zotit mund ta shpëtojë, pasi e kanë tradhëtuar këmbët e atyre që paguhen me rroga milionere, deri në 4-5 herë rrogën e kryetarit të Bashkisë Shkodër. Këta djem nuk mund ta ngjallin për 3 javë të mbetura. Nuk e ngjallën as me paratë e premiove (përveç rrogave të Bashkisë), nuk e ringjallën as mijëra tifozë që sot u futën në “Loro Boriçi” për ta mbështetur! Ngjan patetike, por vetëm Zoti mund ta rikthejë në jetë Vllazninë tonë! /Shënim i ShkodraWeb/