Superliga shqiptare e futbollit mbylli këtë të diel raundin e tetë. Pas rezultateve të sotme është Partizani që e gjen veten në krye të renditjes me 15 pikë. Me fillim nga 19:00, në “Elbasan Arena” Vllaznia dhe AF Elbasani barazuan 0-0, ndërsa në Durrës Teuta mposhti 3-1 Tiranën.
Në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta turpëroi 3-1 Tiranën duke u shkaktuar bardhebluve humbjen e parë sezonale. Arsid Kruja kaloi “Djemtë e Detit” në epërsi pas vetëm tetë minutave lojë, ndërsa Tirana barazoi shpajt me Ismajlin në të 12 minutë.
Në fraksionin e dytë Torraj riktheu epërsinë për durrsakët nga pika e bardhë e penalltisë në të 74minutë, ndërsa në minutën e fundit ishte Nasr që e dërgoi topin për herë të tretë në portën e Tiranës.
Portieri Selmani i bardhebluve bëri një ndërhyrje naive, me arbitrin që akordoi sërish penallti. Selmani shleu deri diku gabimin, por në topin e pritur dhe kthyer në zonë, Nasr nuk gaboi për të dytën herë.
Gjashtë barazime, një fitore dhe një humbje për Tiranën e Bledi Shkëmbit që me nëntë pikë mban vendin e shtatë.