Zgjerohet hetimi për atë që shumë e quajtën “një tragjedi e paralajmëruar”, vdekja e vogëlushes Victoria, vajzës vetëm 13 muajshe që u vra nga dy qentë e saj pitbull në oborrin e shtëpisë një javë më parë në Flero, Itali.
Të dielën e 17 shtatorit ishte vetëm me gjyshin kur iu shkëput nga duart dhe doli në kopsht duke shkuar drejt kutisë së ushqimit të kafshëve që e kanë sulmuar për vdekje. Gjyshi nga i ati, i plagosur në tentativë për të mbrojtur mbesën dhe më pas ‘viktimë’ e një ataku zemre, ishte vendosur në regjistrin e të dyshuarve për vrasje me qëllim si pasojë e mungesës së ruajtjes së vajzës. I vetmi i rritur në shtëpi duhet, sipas hetuesve ta kontrollonte mbesën në çdo lëvizje.
Por, tashmë zëvendës prokuroja e çështjes Roberta Panico ka vënë nën hetim edhe tre emra të rinj: prindërit e vogëlushes, ajo nga Brescia, 22 vjeç dhe ai shqiptar 24 vjeç, janë nën hetim për vrasje me qëllim në cilësinë e pronarëve të qenve, që ishin rregullisht të regjistruar dhe në rregull me vaksinimet.
Ata janë përfshirë në hetime edhe pse nuk ishin prezentë në momentin e tragjedisë. Nëna kishte dalë me mikeshat e veta, ndërsa babai ishte në Gjermani për të punuar.
Por sipas ligjit, si pronarë të qenit duhet të kishin vlerësuar bashkëjetesën mes tyre të dy qenve pitbull dhe vajzës që kishte mbushur një vjeç në gusht.
Dhe presedentët thonë se vogëlushja Victoria ishte në rrezik kur luante me qentë.
Kështu thotë Prokuroria e Brescias që ka vënë nën hetim edhe veterinerin që disa javë më parë nuk kishte raportuar agresivitetin e dy qenve, që “vetëm babai i vajzës së vogël ishte në gjendje ti mbante”, tregojnë fqinjët.
Pitbullët e familjes së vogëlushes Victoria kishin sulmuar në parkun e Fleros një tjetër kafshë, që u plagos rëndë. Ai që ishte kujdesur për qenin e sulmuar nuk ka sinjalizuar ngjarjen siç ishte i detyruar sipas ligjit. Prandaj po hetohet për pretendimet për moszbatim të detyrës.
Raportimi i episodit të dhunshëm do të sillte edhe procesin e vëzhgimit të dy qenve. Një rrugë që përfshin më pas sekuestrimin e kafshëve dhe dy vizita për dhjetë ditë nga një veteriner për të verifikuar rrezikun dhe gjendjen e kafshëve. Vetëm pas kontrolleve mund të përcaktohej nëse Pitbullët mund të vazhdonin të jetonin në familje. Por e gjithë kjo nuk ndodhi.