Vritet me breshëri kallashnikovi biznesmeni nga Shkodra, i pasionuar pas hipizmit. Një ngjarje e ndodhur në mes të ditës në periferi të Shkodrës ka tronditur opinionin publik. Viktimë ka mbetur Arian Ferracaku, 30 vjeç, banues në Shkodër. Vrasja e tij ndodhi në zonën periferike të Livadeve. Ferracaku kishte shkuar në këtë vend me kalin e tij dhe bashkë me dy kushërinj.
Në momentin që ata po bënin stërvitje, 30-vjeçari është qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, duke e lënë të vdekur në vend. Njoftimin për vrasjen e ndodhur, Policia e ka marrë në orën 13:50. Viktima, baba i dy fëmijëve të mitur, ndodhej në zonën e Livadeve bashkë me dy kushërinjtë të tij në momentin kur ndodhur vrasja, por që nuk kanë mundur të bëjnë dot asgjë. Sipas burimeve, edhe kushërinjtë kanë qenë bashkë me kuajt e tyre duke bërë hipizëm.
Mësohet se në momentin e të shtënave, ata ndodheshin në një distancë të largët nga 30-vjeçari. Pasi kanë dëgjuar krismat dhe kanë parë që Ariani të rrëzohej nga kali, janë larguar me shpejtësi nga frika se mos autori mund të qëllonte dhe në drejtim të tyre. Nga burime pranë grupit hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes mësohet se biznesmeni është qëlluar fillimisht nga një distancë prej 20 metra. Më pas, autori e ka ndjekur dhe pas rrëzimit nga kali e ka qëlluar dhe në distancë të afërt, duke e lënë të vdekur në vend.
Viktima ka tentuar që me kalin e tij të largohet, por është rrëzuar në tokë nga plumbat që ka marrë në trup. Sipas informacioneve, Arian Ferracaku kishte plumba në trup, ndërsa pjesën më të madhe i ka në kokë. Pasi është rrëzuar si shkak i plagëve, autori është afruar dhe e ka qëlluar disa herë në kokë. Sipas burimeve, Ferracaku ka të paktën 8 plumba në trupin e tij, duke bërë që të humbë jetën menjëherë. Kanë qenë kushërinjtë e 30-vjeçarit, ata të cilët kanë dëgjuar krismat dhe pasi kanë dëgjuar të shtënat, kanë njoftuar Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe Drejtorinë Vendore të policisë.
Në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e Spitalit Rajonal të Shkodrës, por ka qenë e pamundur për të ndërhyrë sepse Arian Ferracaku ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Pas njoftimit, me dhjetëra forca Policie kanë shkuar në zonën e Livadeve ku ndodhi vrasja. Menjëherë është bërë rrethimi i gjithë zonës dhe grupi hetimor ka bërë hetimet paraprake, ndërsa janë mbledhur edhe provat. Sipas burimeve policore, në total janë afro 17 plumba që janë qëlluar nga arma e zjarrit automatik kallashnikov.
Sipas burimeve policore, personi që ka qëlluar nuk qenë i vetëm në vendngjarje dhe ka dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë. Autori, sipas burimeve, ishte fshehur pas shkurreve dhe sapo 30- vjeçari ka mbërritur aty ka qëlluar në drejtim të tij. Dy kushërinjtë janë larguar kur kanë dëgjuar krismat dhe pasi janë larguar, kanë njoftuar Policinë për ngjarjen. Arian Ferracaku ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë të vegjël.
Autori, pasi ka qëlluar me breshëri në drejtim të Arian Ferracakut, i ka marrë atij sendet personale që kishte me vete. Nga grupi hetimor mësohet se 30-vjeçarit i janë marrë telefoni celular dhe portofoli,duke u larguar më pas në drejtim të paditur. Nisur nga ky fakt, por edhe të dhënat se i riu nuk kishte konflikte, ngrihen dyshime se e gjitha mund të ketë qenë me qëllim për ta grabitur. /Nga Senad NIKSHIQI/