Ngjarje e rëndë në Shkodër. Sipas informacioneve paraprake, raportohet për një vrasje me armë zjarri. Paraprakisht, mësohet se i vrari, shtetasi Prek Tonaj, rreth 47 vjeç, është punonjës i Ujësjellës- Kanalizime.
Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Grudë e Re në Njësinë Administrative Rrethina. Raportohet se është qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit Prek Tonaj, duke e lënë të vdekur në vend.
Autori ka qenë i maskuar kur ka kryer krimin, ndërsa priten informacione të tjera lidhur me ngjarjen e rëndë dhe rrethanat e saj. Në vendngjaje raportohet se janë uniformat blu të Shkodrës. Më poshtë, komunikata zyrtare e policisë.
Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 13.02.2022, rreth orës 19:15, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një lokali, është vrarë me armë zjarri shtetasi Prek Tonaj, 47 vjeç, banues në Grudë, Shkodër.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.