Vrasja e gjyqtares Fildeze Hafizi, ka bërë që prokuroria të analizojë me imtësi pamjet filmike të kamerave që sekuestroi në vendin e krimit. Nga pamjet filmike është ndërtuar dhe dinamika e momentit të ekzekutimit të Hafizit.
Sipas prokurorëve, filmimet tregojnë se gjyqtarja Hafizi ka hapur derën e makinës dhe ka hyrë brenda saj. Ndërkohë ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi shfaqet duke ecur, dhe pa i thënë asnjë fjalë ka nxjerë nga brezi pistoletën dhe ka qëlluar pa asnjë paralajmërim.
Në pamjet filmike Kasemi shfaqet shumë shpejt, qëllon dy herë ndaj ish-gruas së tij që ndodhej brenda në makinë dhe më pas largohet sërisht, me shpejtësi. Menjëherë pasi ka qëlluar me plumba ish-gruan e tij është larguar me ndadalë duke dalë nga rrezja e filmimit të kameras. Nga krismat e armës, shumë banorë të zonës janë larguar me vrap.
Mori peng shoferit të furgonit
Pas kryerjes së vrasjes Kasemi ka dalë në rrugën “Bardhyl” dhe nën presionin e armës ka detyruar shoferin e një furgoni me inicialet K.T, të ndalojë në mes të rrugës automjetin e tij. Kasemi ka hipur brenda në furgon dhe sërisht nën kërcënimin e armës e ka detyruar drejtuesin e mjetit që ta nxirte jashtë Tiranës, menjëherë.
Por dëshira e tij për tu larguar nga vendi i krimit duke shpresuar të humbte gjurmët për policinë nuk ka zgjatur shumë, pasi ai është arrestuar rreth 800 metra larg vendit të krimit, brenda në furgon. Ndalimi i tij është bërë në oborrin e komisaritit nr.1 në Tiranë.
Shoferi futi furgonin në polici
Sipas dosjes penale të prokurorisë më datën 31 gusht 2017,rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, në kohën që shtetasja Fildez Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga parukeria dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, benz me targa AA 880 OS. Në këtë kohë është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi,duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas shtetasi Fadil Kasemi me psitoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon “Benz Mercedez”, që drejtohej nga shtetasi K.T. të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hypur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë.
Në kohën që i është afruar Komisariatit shtetasi K.T. e ka futur menjëhërë automjetin e tij brenda në ambjentet e komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëhërë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi, duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.