Në 1 korrik të 2015-ës, 23-vjeçari, Alfons Dautaj u qëllua me breshëri automatiku në fshatin Ninsh të Mallakastrës, duke humbur jetën në vend, ndërsa dy të tjerë, Riza Fejzaj, 22 vjeç, nga Ninëshi dhe Mariglen Luari, 24 vjeç, nga Patosi, mbetën të plagosur.
Shkak për vrasjen ishte tentativa e një grupi tjetër të rinjsh për grabitjen e një parcele me kanabis. Bimët narkotike ruheshin nga viktima dhe dy shokët e tij.
Gentjan dhe Artur Pashaj si dhe Ermal Çaushaj u ndaluan nga policia si autorë të ngjarjes dhe për rrjedhojë u dënuan nga Gjykata e rrethit të Fierit. Dënimet të cilat janë zbutur ndjeshëm nga Gjykata e Apelit të Vlorës me vendimin e datës 11 korrik 2017.
Gjykata e Fierit, 35 vite burg autorit
Autorësia e krimit i mbeti Gentjan Pashajt, 36-vjeç, banues në fshatin Vrinë të Sarandës, i cili sipas dëshmive të të mbijetuarve por edhe shokëve të tij, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të Alfons Dautajt, Riza Fejzajt dhe Mariglen Luarit. Për krimin e kryer ai u dënua me 35 vjet burg në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, duke i ngarkuar dy akuza atë të ‘vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’ dhe ‘armëmbajtjes pa leje’.
Vëllai i tij, Artur Pashaj u dënua me 14 vjet, ndërsa bashkëpunëtori tjetër në krim, Ermal Çaushaj me 2.2 vite burg.
Gjithashtu, gjykata dha dënime edhe për dy shokët e viktimës për akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Apeli i Vlorës zbut dënimet
Gjykata e Apelit të Vlorës ka ulur ndjeshëm dënimet për autorët e krimit të dy viteve më parë në Mallakastër, i cili si shkak kishte kanabisin.
Kësisoj, me vendim të datës 11 korrik 2017, Apeli i Vlorës ka dënuar me 20 vite burg Gentjan Pashajn, i akuzuar për vrasjen e Alfons Dautajt. Vendimi i Apelit i ul atij 15 vite burg nga dënimi i Gjykatës së Fierit.
Për Artur Pashajn, vëallin e autorit, Apeli vendosi ta lirojë nga burgu, ndërsa shkalla e parë e Fierit e dënoi me 14 vite burg.
Prokuroria bën rekurs
Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, Prokuroria ka bërë rekurs. Kërkesa është firmosur nga prokurori i Apelit, Altin Binaj me objekt prishjen e vendimit nr.522 dhe lënien në fuqi të vendimit nr.777 të Gjykatës së Fierit e cila e ka dënuar me 35 vjet burg Gentjan Pashajn.
Dënimet e Gjykatës së Fierit
Gentjan Pashaj – 35 vjet burg
Artur Pashaj – 14 vjet burg
Ermal Çaushaj – 2.2 vite burg
Vendimet e Gjykatës së Apelit Vlorë
Gentjan Pashaj – 20 vjet burg
Artur Pashaj – (Lirohet nga burgu)
Ermal Çaushaj – I liruar kohë më parë