Takimi i së dielës është shumë i rëndësishëm për Vllazninë dhe për ecurinë e saj të mëtejshme në kampionat. Por edhe për të personalisht është një takim që ndaj emocione sepse tek Laçi ka kaluar pjesën më të bukur të karrierës së tij. Bëhet fjalë për mesfushorin Erjon Vucaj i cili tashmë është pjesë e kuqebluve dhe në konferencën e sotme për shtyp ka shprehur bindjen se në takimin e së dielës do të fitojë Vllaznia.
“Kam respekt për ekipin e Laçit dhe kur deklaroi se Vllaznia do të luftojë vetëm për fitore në këtë ndeshje, këtë nuk mund të them se kundërshtari ka ekip të keq por ne në rradhë të parë duhet të respektojmë veten. Po respektuam veten tonë besoj se do ja dalim me çdo ekip dhe jo vetëm me Laçin. Kam nostalgji për periudhën që jam aktivizuar tek kjo skuadër por jam profesionist dhe tashmë po mendoj për skuadrën e qytetit tim. Gol ndaj Laçit? Do ta dëshiroja ndaj çdo ekipi sepse është gjithmonë bukur të shënosh megjithatë rëndësi ka fitorja e Vllaznisë besoj dhe nëse shënoj, padyshim që do të jetë një kënaqësi më shumë për mua” është shprehur ai. Vucaj është pyetur edhe për disfatën në Kupë ndaj Tiranës teksa e quajti njëfarë nënvlerësimi të Vllaznisë por nga ana tjetër, premtoi se çdo gjë është e hapur për kualifikimin. ”Mendoj se ekipi neglizhoi paksa në Kupë ndaj Tiranës, ndoshta duke ruajtur forcat dhe duke ruajtur lojtarët për ndeshjen me Laçin. Megjithatë deri tek ndeshja e kthimit kemi edhe dy javë kohë për të rikuperuar gjërat dhe jam i mendimit se çdo gjë është e hapur për kualifikimin” ka thënë numri 20 i kuqebluve.
Mesfushori me shumë përvojë është pyetur edhe për formën e tij sportive sepse në fakt tifozët shkodranë presin shumë prej këtij futbollisti dhe përgjigja e tij ka qenë kjo: “Sport ka uljet dhe ngritjet e veta. Me fillimin e fazës së parë nuk kemi bërë një paraqitje të mirë por në ndeshjet e fundit besoj se kemi gjetur ritmin e duhur dhe kemi rritur performancën dhe kështu ka ndodhur jo vetëm me mua por me gjithë ekipin dhe shpresojmë në këtë rrugë”. Padyshim që Vllaznia e bazon lojën tek ky futbollist sepse është një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit shqiptar megjithatë përveç tij, secili prej pjestarëve të skuadrës duhet të japë maksimimun për të fituar së pari në ndeshjen e rradhës ndaj Laçit.
Përveç Vucajt, optimist për fitoren ndaj Laçit të dielën në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” është shprehur edhe mesfushori tjetër i Vllaznisë Edon Hasani. Edhe ai ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp të pragndeshjes dhe para gazetarëve ka shprehur bindjen se kuqeblutë do të fitojnë edhe takimin e rradhës për kampionat. Natyrisht që e kemi vlerësuar ekipin e Laçit që armën e tij më të fortë ka agresivitetin por edhe ne do ti përgjigjemi me të njëjtën mënyrë. Unë kam shumë besim se do të dalim me tre pikë nga kjo ndeshje, tre pikë që do të na ndihmojnë shumë për vazhdimësinë. Kjo është ndeshja e tretë rresht që luajmë në Shkodër dhe pasi kemi fituar dy të parat ndaj Lushnjës e Luftëtarit, besoj se trepikëshi edhe me Laçin do të na ndihmonte shumë për të rrit besimin në skuadër sepse Vllaznia nuk e meriton këtë renditje që ka dhe të gjithë sëbashku do t’ia dalim ta nxjerrim atë nga kjo situatë ku ndodhet”- është shprehur mesfushori me numrin 10 i kuqebluve. Në prononcimin e tij Hasani ka folur edhe për tifozët duke i bërë edhe njëherë thirrje për ti mbështetur në stadium sepse rezultatet e skuadrës po vijnë duke u rritur nga java në javë. “Tifozët janë lojtari i 12-të për Vllazninë, një element shumë i rëndësishëm për këtë skuadër dhe prandaj u bëj thirrje të jenë në stadium për të na përkrahur. Shpresoj që edhe moti të jetë i mirë dhe ata të jenë sa më të shumtë dhe do të ishin një mbështetje shumë e madhe për ne për të arritë edhe këtë fitore që synojmë” shprehet ai.Ndeshja Vllaznia- Laçi do të luhet të dielën në orën 13.00 ndërkohë që biletat e kësaj ndeshje kanë dalë në shitje që paradreken e së shtunës teksa mendohet që të ketë një numër më të madh tifozësh në shkallët e stadiumit sepse konsiderohet një ndeshje e rëndësishme për kuqeblutë. /shkodrasport.com/