4 tituj kampionë si individ, 5 të tjerë duke kontribuar për Vllazninë dhe po ashtu, edhe 2 Spartakiada Kombëtare. Në total bëhen 11 trofe të fituara gjatë karrierës së saj. Bëhet fjalë për shahisten Ylvije Boriçi e cila kësisoj është sportistja më me shumë trofe në këtë sport sa i takon shahistëve shkodrane.
Një emër jo shumë i lakuar ndoshta këto vitet e fundit, megjithatë kampionia vazhdon të jetë prezente kudo ku ka aktivitet shahu në Shkodër, madje po mundohet t’ua transmetojë pasionin për këtë sport edhe dy vajzave të saj. Boriçi, me rastin e 100 vjetorit të Shoqnisë “Vllaznia”, u vlerësua me “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër, në shenjë falenderimi për kontributin e dhënë për këtë qytet dhe për Sportklub Vllaznia.
Karriera
Ylvije Boriçi ka lindur në Shkodër më 24 dhjetor 1965. Shahun e ka pasion që në moshë të vogël dhe ndërkohë në shkollë të mesme merr pjesë edhe në kampionatin që zhvillohet në këtë qytet me nxënësit e këtyre shkollave dhe aty shpallet kampion.
Kjo gjë nuk mund t’i shpëtonte syrit të trajnerit Muhamet Gradeci, i cili insiston për të marrë tek ekipi i shahut të Vllaznisë. Në fillim nuk kishte dëshirë, por më pas i mbushet mendja. Dhe iu deshën vetëm pak muaj stërvitje që të shënonte emrin e saj edhe si kampione e Shqipërisë.
“Profesor Muhameti (Gradeci) dhe Bahri Axhemi insistuan të më merrnin në ekip kur kanë paraqitjet e mia në kampionatin e shkollave të mesme. Sidomos profesori i cili kishte nisur punën për ndërtimin e ekipit. Në atë kohë në ekip gjeta dy motrat Vuji, po ashtu erdhi edhe Arta Alushi dhe më pas edhe Valbona Milla dhe kështu u krijua ai ekip që do dominonte për disa vite me rradhë në shahun shqiptar”- thotë në fillim të prononcimit të saj ish-kampionia e shahut.
Vetëm pak muaj stërvitje dhe menjëherë suksesi i parë. Ende pa mbushur 18 vjeçe, ajo do të shpallej kampione e Shqipërisë për të rriturat. “Kampionati u zhvillua në muajin gusht në Shkodër. Ishte me sistem zvicerian dhe ndonëse unë kisha vetëm pak muaj që e ushtrova këtë sport, ia dola me sukses të shpallem kampione.
Nuk ishte aspak e lehtë që të triumfoje ndaj sportistëve të tilla me shumë përvojë si Liri Bejo, Vega Pajo etj. Ky sukses më shtoi dëshirën për shahun pastaj. Nëse në fillim e kisha në dyshim për ta vazhduar këtë sport apo jo, tani gjërat morën rrjedhë tjetër”- thotë Boriçi.
Tashmë përgjegjësia e saj rritet. Në dy vitet e ardhshme është një kolege e saj tek Vllaznia- Albana Vuji që do të shpallej kampione. Për t’u rikthyer sërish tek sukseset e Ylvije Boriçit që do të shpallej kampione edhe në vitet 1986, 1987 dhe 1988. Po ashtu, jep një kontribut të rëndësishëm në shpalljen e Vllaznisë kampione si ekip në vitet 1983, 1986, 1987, 1989 dhe 1990. Po ashtu edhe në medaljet e arta të Vllaznisë në Spartakiadat Kombëtare më 1984 dhe 1989.
Pra në total, Ylvije Boriçi ka fituar plot 11 trofe (individuale dhe ekipore). Pa përmendur këtu edhe kupën “17 Nëntori” të zhvilluar me shahistet më të mira të vendit në vitin 1987. Më shumë se të gjitha shahistet e tjera shkodrane.
Sportin e shahut e vazhdoi deri në vitin 1994 ku e mbyll si nënkampione e vendit. Gjatë karrierës, ka marrë pjesë dy herë në evenimentin më të rëndësishëm botëror të këtij sporti, në Olimpiadat, pikërisht më 1990 në Novi Sad dhe më 1994 në Moskë.
Përveç këtyre dy aktiviteteve ndërkombëtare, ka marrë pjesë edhe në vitin 1993 në një turne zonal që u zhvillua në Greqi dhe po atë vit në Ballkaniadë në Ankara të Turqisë. Edhe një vit më pas sërish merr pjesë në turneun zonal të Greqisë dhe këtu gjithçka mbyllet për të me këtë sport.
Vllaznia e viteve ’80
Mjeshtrja e shahut Ylvije Boriçi në rrëfimin e saj, bën edhe një vlerësim të pjestareve të tjera të ekipit, por edhe të trajnerit Gradeci, për të cilin ruan një respekt shumë të madh edhe sot e kësaj dite. Ja si i përshkruan ajo pjestarët e këtij ekipi:
Trajneri Muhamet Gradeci: Të gjitha sukseset e ekipit të Vllaznisë në shah gjatë viteve ’80 ku morëm 14 trofe, individual dhe ekipor, i dedikohen padyshim atij. Ka qenë shumë i rëndësishëm për ne, i qetë, shumë komunikues, njohës i mirë i shahut. Ajo që binte në sy tek trajneri ynë ishte mënyra si sillej me ne pas ndeshjeve.
Ishte një suportues i shkëlqyer nga ana psikologjike i situatave që krijoheshin. Ka meritën e madhe edhe sepse ka ditë të përzgjedhë elementin e duhur për të ndërtuar këtë ekip të suksesshëm.
Albana e Marina Vuji: Motrat Vuji kanë dhënë një kontribut të madhe për Vllazninë në ato vite. Sidomos Albana është dalluar si një shahiste shumë e mirë, e qetë, një lojtare pozicionale e cila sëbashku me të motrën- Marinën, i kanë dhënë shumë shahut shkodran dhe atij shqiptar.
Arta Alushi: Lojtare kombinative. E kërkonte fitoren me çdo kusht. Një shahiste me personalitet të fortë dhe që ka dhënë një kontribut të madh për Vllazninë.
Valbona Milla: Pjesë e rëndësishme e ekipit të atyre viteve. Lojtare e qetë dhe ndonëse nuk arriti të fitojë sërish ka treguar vlera. Ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare edhe në Olimpiadën Botërore të shahut që u zhvillua në vitin 1994 në Moskë.
Vllaznia: Ekipi i atyre viteve ka qenë i mrekullueshëm. Ekzisonte një harmoni e shkëlqyer mes pjestareve të saj dhe trajneri Gradeci dhe për rrjedhojë erdhën gjithë këto suksese duke e bërë Vllazninë ekipin më të mirë të shahut shqiptar të femrave gjatë viteve ’80.
Privilegji
“E kam patur kënaqësi dhe privilegj të isha pjesë e këtij ekipi. Jam shumë e lumtur për çfarë i kam dhënë shahut, Vllaznisë dhe Shkodrës, por në fakt kam marrë pak si shpërblim”- thotë mjeshtrja Boriçi. Themi mjeshtrja sepse e tillë është ajo, por ka një fakt shumë interesant. Sipas rregullit të para viteve ’90, në sportet individuale sapo merrje titullin e tretë kampion, të akordohej titulli “Mjeshtër Sport”.
E pyetur nëse e ka marrë këtë titull, Ylvija përgjigjet: “Më kanë thënë se e kam marrë, por në fakt asnjëherë nuk e kam parë me sy. Në librat e këtij sporti shkruhet që jam “Mjeshtre Sporti”, por unë këtë titull nuk e kam në shtëpi”- thotë ajo.
A është apo nuk është, kjo pak rëndësi ka sepse tashmë Ylvije Boriçi e ka merituar titullin “Mjeshtre” me 11 trofetë që ka fituar. Në fakt është nderuar edhe me medaljen “Naim Frashëri i Artë” në vitin 1989, ashtu si dhe me disa tituj të tjerë nga Federata, ndërkohë që ka qenë disa herë fituese në anketën e “10 sportistëve më të mirë të Vllaznisë”.
A do vazhdojë tradita në familjen e saj?
Ylvije Boriçin e shohim shpesh të jetë prezente kur në Shkodër ka aktivitete shahu, ndonëse ka shumë angazhime si pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Pasioni për këtë sport vazhdon të jetë ende i madh tek ajo. Por ndërkohë, këtë pasion është munduar t’ia transmetojë edhe dy vajzave të saj, Bedra dhe Sejda Kraja.
Të dyja ato luajnë shah, marrin pjesë në kampionateve e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme që zhvillohen në Shkodër dhe madje edhe janë paraqitur mirë. Bedra që është 15 vjeçe ka arritur të zërë vendin e dytë në mes shkollave të mesme ndërsa Sejda 14 vjeçe është renditur e dyta mes shkollave 9 vjeçare.
E pyetur nëse vajzat do ta vazhdojnë rrugën e saj, Ylvije Boriçi (Kraja) shprehet: “Pak e vështirë duket sepse tashmë për rininë ka shumë pasione të tjera. Ato gjithsesi e luajnë mirë shahun dhe ndoshta mund të shpërthejnë në gjimnaz, atëherë kur doli në skenë edhe nëna e tyre (qesh). Shahu është sport i bukur dhe nuk do ishte keq që edhe ata të vazhdonin rrugën time”.