Zbardhet “misteri” i largimit nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Shkodër të këshilltarëve të PSD- së, duke sjellë mbylljen e saj për mungesë kuorumi apo numrash në sallë për vijimësinë.
Këto orët e fundit është folur në media e portale për “prishje të marrëveshjes PS- PSD”, e cila në fakt nuk ka ekzistuar as para dhe as pas 14 majit 2023, as për punësime në administratën qendrore dhe as atë vendore.
Në fakt “çeshtja” është shumë më e thjeshtë dhe tashmë mund të konsiderohet e zgjidhur. “Sebepi i sherrit” janë bërë dy shkresa nga një dikaster, të cilat meqë janë diçka personale, nuk po i publikojmë.
Janë dy shkresa të njëpasnjëshme, të cilat ShkodraWeb i disponon, të dyja të dala në një ditë, me të njëjtën numër protokolli dhe urdhri, me një ndryshim të vogël fraksioni, pra: 1448 dhe 1448/1. Nuk dihet nëse do të pasojë ndonjë shkresë e tretë, e katërt…që mund të ndikojë sërish në humorin e këshilltarëve…
Pasi është sqaruar kjo çeshtje, këshilltarët e PSD- së kanë qenë të gatshëm të rikthehen në mbledhjen e Këshillit, por ishin larguar këshilltarët e PS- së pas mbylljes së mbledhjes nga kryetari Oltion Luli për mungesë kuorumi në sallë.