Dorëzimi i mandateve në bllok nuk është i paprecedentë, përkundrazi, formësoi opozitën e parë shqiptare.
Në historinë parlamentare shqiptare, lënia e mandateve në grup nuk është e panjohur. Ka ndodhur edhe njëherë më parë. Në Këshillin Kombëtar të dalë në Kongresin e Lushnjës, një pjesë e deputetëve shqiptarë që nuk binin dakord me politikat e qeverisë së Sulejman Delvinës, kërkonin zgjedhje të reja për të nisur një proces më legjitim për zgjerimin e Statutit të Lushnjës dhe formimin e një qeverie më përfaqësuese.
Në kushtet kur qeveria nuk shprehte të njëjtin vullnet, atëhere 18 deputetë shqiptarë dhanë dorëheqjen në bllok, duke djegur mandatet, ç’ka solli dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve demokratike. Ky akt, lënia në bllok të mandateve, formësoi opozitën e parë formale shqiptare.
Pra rreth 100 vite më parë, kur Shqipëria kishte disa muaj jetë demokratike parlamentare, kultura demokratike ishte më e madhe se sot. Akti i lënies së mandateve çoi minimalisht në rrëzimin e qeverisë dhe në shpalljen e zgjedhjeve të reja. /Nga Erald KAPRI, studiues/