Nga 25 shtatori Petri Koçi, është emëruar kryetar i PS- së për Fierin. Paralelisht, ai vazhdon të mbajë edhe postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes në qeverinë Rama. Prej mëse dy muajsh, 24 orëshi i Koçit ndahet në mes Tiranës dhe Fierit: Në Tiranë duhet të jetë i pranishëm si zëvendësministër, në Fier si kryetar i PS- së. Këtë fakt, e pranon edhe vetë Petro Koçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ku shkruan:
“Duke nisur udhetimin e pernatshem drejt Tiranes. Dhe Fieri me percjell me nje vallezim vjeshtor gjethesh qe zbresin nga rrepet per te formuar nje qilim natyror asfalti dhe gjethesh…”, shkruan zëvendësministri i Mbrojtjes i të gjithë shqiptarëve dhe kryetari i socialistëve të Fierit.
Në një nga aplikacionet për matjen e distancës online, rezulton se distanca tokësore, e udhëtimit me makinë, nga Tirana në Fier, është rreth 124 km. Vajtje- ardhje në total, kjo distancë arrin në 248 km që përshkon çdo ditë zëvendësministri- kryetar i PS-së Fier.
Në 30 ditë, sepse Koçi e pranon vetë se ky ritual është i përnatshëm, i bie që Koçi përshkon plot 7440 km. Pa llogaritur këtu, lëvizjet brenda Fierit apo ndonjë km nëpër Tiranë.
Sigurisht, është sakrificë, një lodhje e madhe për Koçin, figurë historike e të majtës, e PS-së por edhe e PSV- së, partisë që krijoi dhe e shkriu për tu rikthyer përsëri tek socialistët e 1991- it. Por kjo, është përllogaritje që Koçi e bën vetë, bazuar në mundësitë e tij fizike. Ajo që mbase vlen të diskutohet, është kostoja e këtyre udhëtimeve të përnatshme.
Në kuptimin e karburantit që konsumohet, sa litra mund ti duhen çdo muaj për të përshkuar 7440 km (ndoshta më pak, mbase më shumë)? Këto litra blihen nga rroga rreth 150 mijë lekë në muaj e Koçit, ia siguron PS-ja apo e paguajnë shqiptarët (socialistë dhe jo) nga taksat e tyre por në funksion të fushatës politike të PS- së?! Jemi të hapur të botojmë çdo reagim të zëvendësministrit Koçi, në emër të transparencës së detyrueshme me taksapaguesit. /ShkodraWeb Media/
P.S. Petro Koçi, nuk është përfolur asnjëherë për afera korruptive apo të papastra, pavarësisht pozicioneve edhe ekzekutive që ka patur, përveç posteve politike të rëndësishme.